Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media së bashku me kandidatin për kryetar të Prishtinës, Përparim Ramën, janë shprehur optimistë për fitore në Komunën e Prishtinës, me ç’rast kanë uruar dhe falënderuar të gjithë votuesit.
“Në bazë të të dhënave Lidhja Demokratike është fituese e Prishtinës”, tha Abdixhiku, fjalë kjo e cila u përcoll me brohoritje të mëdha nga simpatizantët.
Në Istog, Junik, Fushë Kosovë dhe Dragash, gjithashtu Abdixhiku konsideron se janë fitues.
Ndërsa Përparim Rama, i cili garon për të parin e Prishtinës, u shpreh entuziast për numërimet e deri më tanishme të raundit të dyë të zgjedhjeve
“Emocionin e kësaj fitore nuk mundem me e përshkru me fjalë. Kjo është fitorja jonë. Kjo ësjtë fitorja e secilit banor pa dallime”, tha Rama.
“Kjo votë tregon se ne jemi të emancipuar. Vota juaj sot më fuqizoi me privilegjin e të qënit kryetar i Komunës së Prishtinës”.
“Përgjegjësinë do ta marrë gjithherë parësore. Unë, Përparim Rama, kryetar i komunës së Prishtinës, zotohem se do të jem kryetar i të gjithëve. Ju që jetoni e punoni, që vini e që do të ktheheni, jeni një mori njerëzisht që më besuat”.
Përparimi Rama kryeson në numërimet e tashmë gati të përfunduara të votimeve në Prishtinë, me 50,84% të votave.
Rama uron Ramën, kurioz për impaktin e një kryebashkiaku arkitekt
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një postimi në median sociale Twitter, ka uruar kryebashkiakun e ri të Prishtinës, Përparim Ramën, për fitoren.
Ai ka uruar dhe të gjithë të zgjedhurit e tjerë.
Numri një i Qeverisë ka shprehur kuriozitet për impaktin që do të ketë në Prishtinë një kryebashkiak arkitekt, të cilin e ka cilësuar si “risi interesante në një realitet sfidues!”