Nënkryetari i PL-së, Petrit Vasili është paraqitur në SPAK këtë të premte. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Vasili është thirrur për çështjen e lobimit të LSI-së në SHBA.

 

Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje më herët dhe ish-deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Endrit Braimllari në lidhje me lobimin në Amerikë të subjektit politik që ai përfaqëson. Vasili ka shkuar në Prokurinë e Posaçme me kapele e syze duke u munduar t’u shmanget mediave.

Në materialin kallëzues thuhej se Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili dhe Edmond Panariti, vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2016 dhe vetëm me shoqërinë GSIS, kanë shpenzuar rreth 150 mijë USD për të siguruar takime në SHBA. Nga ana tjetër, LSI-ja gjatë gjithë vitit 2016, ka deklaruar 11 720 552 lekë shpenzime për këshillim. Kontratat e lobimit nxjerrin zbuluar katër të lartpërmendurit në fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Nga ana tjetër, në materialin kallëzues, thuhej se në vitin 2016, LSI-ja deklaron rreth 250 mijë USD donacione nga persona me pamundësi financiare, duke ngritur dyshime të forta se këto para janë hedhur nga Meta dhe Kryemadhit, duke përdorur si mbulim të besuar të tyre.

Kujtojmë që SPAK nisi hetimet pas kallëzimit të ish deputetit Halit Valteri, i cili theksonte se për llogari të LSI janë shpenzuar 700.000 dollarë por të padeklaruara për qëllime lobimi. Bëhet fjalë për lobimin në 2017 në SHBA përmes një kompanie guackë në Qipro ku LSI ka nuk deklaruar një shumë prej 700 mijë dollarësh për një takim të ish presidentit të asaj kohe Ilir Meta me Donald Trump.

Në kallëzimin e depozituar nga Valteri, thuhet se LSI nuk ka pasqyruar në KQZ të gjithë shpenzimet duke fshehur në këtë mënyrë lobimin./