Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk do t’i japë plotfuqishmërinë Ministrisë së Jashtme për të negociuar një marrëveshje të re me Greqinë, nëse nuk përmirësohen disa nga problematikat e konstatuara në shkresën që një javë më parë iu drejtua kreut të shtetit. Presidenti Meta pasi u konsultua me gjithë ish-presidentit e shtetit shqiptar  Berisha, Mejdani, Moisiu, Topi dhe Nishani, si dhe me  kryetaren e komisionit të politikës së jashtme Mimi Kodheli dhe zv/kryetarin Tritan Shehu, me sa duket ka vendosur t’ia kthejë kërkesën ministrisë së jashtme për plotësime.

Presidenti Ilir Meta i drejtohet me një shkresë ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, për t’i shprehur gjithë problematikat e konstatuara në kërkesën e bërë një javë më parë për dhënien e plotfuqishmërisë,- mësohet nga burime pranë presidencës, por edhe nga vetë ministria e jashtme e cila ka kontaktuar me stafin e presidentit.

Një burim pranë ministrit të jashtëm Bushati ka thënë për “Koha Jone” se Presidenti ka shumë të drejtë ta kthejë, sepse nuk mund të firmosë një kërkesë të tillë, pasi edhe vetë ministri Bushati i ka thënë kryeministrit se letra nuk ka sens dhe mund të na kthejë Kryetari i Shtetit. Por ka qenë kryeministri Rama,- flet burimi në Ministrinë e Jashtme- që ka vendosur për atë formë kërkese e cila tashmë pritet të kthejë nga zyra e presidencës.

Mësohet se kreu i shtetit do t’i kërkojë ministrit Bushati që të saktësojë emrat e negociatorëve që do të negociojnë për marrëveshjen e re me Greqinë.

Burime nga Presidenca, saktësojnë se në të gjithë takimet konsultuese që Meta zhvilloi me paraardhësit e tij, Nishani, Topi, Moisiu, Mejdani dhe Berisha iu kërkua që qeveria të bëjë transparente negociatat me palën greke.

Veritas.com.al/