Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri, ndërsa Gjykata e Krimeve të Rënda është tërhequr për vendimin final, të cilin pritet ta japë në orën 16:00.
Vetë ish-ministri Tahiri ka vendosur të mos largohet nga Gjykata pwr Krimet e Rënda, derisa të njihet me vendimin e gjykatës.
Ish-ministri ka ndjekur nga kafja edhe intervistën që avokati i tij, Maks Haxhia, dha për “News 24”, prej ku tha se është ulëritëse që të dënohet ish-ministri, teksa gjykata nuk ka asnjë provë kundër tij.
Media shkruan se ish-ministrin Tahiri ishte thuajse në lot në sallën e gjyqit. Në lidhje me këtë, avokati Haxhia deklaroi se Tahiri nuk ishte në lot dhe ka treguar se është burrë, që kur dha mandatin e deputetit për t’u përballur me ligjin.
“Nuk ishte në lot, ai ka dhënë mandatin për këtë, ka treguar se është burrë. Ishte një gjendje emocionale, sepse vihet në rrezik jeta e tij. Në vend që të vlerësohej për punën si ministër, ai vihet përballë akuzave, kur nuk ka asnjë provë. Të gjykosh ish-ministrin për vepra tepër të rënda, pa asnjë provë, është të ulërasësh, të hipësh mbi tavolina. Me aq sa e njoh dosjen dhe e njoh shumë mirë, nuk e di ku gjykata, në rast çmendurie, do ta gjejë një provë të vetme”, tha Haxhia.
Veritas.com.al/