Ambasada Amerikane në Tiranë ka paralajmëruar shtetasit e saj në vendin tonë mbi protestën e pasdites së sotme të thirrur nga Partia Demokratike.

“Shtetasit amerikanë këshillohen që të shmangin grumbullimet e mëdha në qytet. Edhe pse shumë evente të tilla janë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat vendase dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve të rendit për informacionet më të fundit”, lexohet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Burime pranë uniformave blu thanë se pritet të angazhohen përafërsisht 1000 efektivë të komisariateve Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, por edhe agjentë civilë të cilët do të jenë në terren për të konstatuar paligjshmëri.

 Ashtu si dhe herët e tjera, policia ka parashikuar kordonin e efektivëve në dyert e Kryeministrisë, ndërsa pikat e larta të objekteve të rëndësisë së veçantë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të ruhen nga forcat speciale.

Ndonëse nuk ka informacione për krijimin e situatave të tensionuara policia prej disa ditësh ka mbajtur në vëzhgim disa persona me precedent penalë.