Zëvendës ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, ka deklaruar gjatë prezantimit të Strategjisë së Shëndetit 2021-2030 se në qendër të saj do të jetë qytetari.
Kjo strategji, sipas Rakacollit, do të plotësojë nevojat shëndetësore për t’iu përgjigjur së tashmes dhe së nesërmes.
Takimi një-ditor po organizohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, mbeshtetur nga Zyra e OBSH-së në Shqipëri.
Gjatë fjalës së saj, Rakacolli kujtoi se ky program i hartuar krijon premisat per të realizuar kushtet e aspiratave dhe zhvillimit të Shqipërisë.
Kjo, referuar prioriteteve kyçe të Programit Evropian të Punës të OBSH-së në Evropë, 2020–2025 – “Veprime të bashkuara për shëndet më të mirë” (EPW).
Në përmbyllje, zyrtarja shqiptare nënvizoi se qëllimi i strategjisë është të vazhdojë përpjekjet për përmirësimin e shëndetit, mirëqenien e popullatës duke përmbushur të drejtat e tyre për shëndet të mirë gjatë viteve 2021-2030.
Takimi
Strategjia është formuluar mbi pesë synime themelore, të cilat u prezantuan nga ekspertët e secilës fushë.
Fillimisht është investimi në shëndetin e popullatës përgjatë gjithë jetës.
Së dyti, do të kërkohet progres sa i takon mbulimit me shërbim universal.
Më tej, plani i hartuar nga ministria parasheh fuqizimin e sistemit shëndetësor, pikërisht me në qendër qytetarin.
Një ndër pikat do të jetë dhe përforcimi i përgjigjes dhe shërbimeve të emergjencës.
Në fund është dhe aspekti i dedikuar i shëndetit digjital.
Synimet
Për zyrtarët e shëndetësisë dhe ekspertët, kjo strategji i përgjigjet situatës dhe sfidave aktuale globale dhe kombëtare.
Në të paraqitet nje zhvillim inovativ, sistematik dhe gjithëpërfshirës i sistemit të ardhshëm shëndetësor shqiptar.
“Krahasuar me strategjinë e mëparshme të shëndetit, strategjia aktuale reflekton mësimet nga COVID-19 dhe adreson në mënyrë specifike nevojën për të rritur kapacitetet për t’iu përgjigjur emergjencave shëndetësore dhe për të rritur elasticitetin e sistemit shëndetësor në përgjithësi”.
Shëndeti digjital konsiderohet një synim themelor i dedikuar.
Ai do të kontribuojë, sipas autoriteteve shëndetësore, në lëvizjen drejt sistemeve gjithnjë e më të përqendruara te personi.
Zyrtarët deklaruan se strategjia është hartuar në konsultim të ngushtë me ministritë e linjës, ekspertë të sistemeve shëndetësore dhe shëndetit publik.