Këtë të premte, kryeministri Edi Rama u nis drejt Turqisë. Dy burime të ndryshme thanë se vizita 24-orëshe do të jetë informale, por nuk përjashtohet edhe një takim me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Vizita e Ramës në Turqi dhe takimi i tij me Erdogan vjen në një moment kur Ankaraja është në marrëdhënie të tensionuara me Greqinë, ndërkohë që Tirana pret të rinisë me fqinjin negociatat për arritjen e një marrëveshje të re për kufirin detar.
Një negocim i mundshëm për të “zbutur dallgët” në Egje nuk duket gjithsesi të jetë në agjendën e Ramës, si kryetar në detyrë i OSBE-së. Miqësia e kryeministrit Rama me presidentin Erdogan është botërisht e njohur, por çfarë e bëjnë më pikante këtë vizitë të shefit të qeverisë shqiptare në Turqi janë akuzat e mëhershme të ish-kryeministrit Berisha, që ka aluduar shpesh se marrëveshja e parë e detit firmosur me Greqinë gjatë qeverisjes së demokratëve, u rrëzua edhe falë një lobimi të fuqishëm turk.
E sigurt është se çështja e detit pritet të diskutohet në një tjetër takim të shefit të qeverisë shqiptare, këtë herë në Greqi, me homologun Mitsotaqis. Burimet pohojnë se kryeministri Rama do të udhëtojë në shtetin fqinj, më 15 dhe 16 shtator.
Deklarata e kryeministrit grek në parlament, se Greqia do të zgjerojë kufijtë e saj detar në 12 milje, duket se ka përshpejtuar një takim të tretë të dy homologëve.
Nga ana e tij, kryeministri shqiptar i ka mëshuar fort faktit se nuk ekziston asnjë marrëveshje e tillë me Greqinë dhe se procesi i bisedimeve ka mbetur pezull me ndryshimin e qeverive në Athinë. Por, agjenda ndërkombëtare e shtatorit nuk mbyllet këtu për kryeministrin Rama.
Pas Ankarasë dhe Athinës, ndalesa e radhës do të jetë në Berlin, në një vizitë zyrtare që pritet të ketë në fokus integrimin dhe pandeminë e koronavirus.
Pas vizitave jashtë vendit, Rama do të kthehet në mikpritës. Më 25 shtator, pohojnë burimet, ai do të bëjë bashkë dy qeveritë shqiptare, Tiranën dhe Prishtinën në mbledhjen që do të zhvillohet në Shkodër.
VERITAS.COM.AL