Kryeministri Rama shkruan në Twitter:

“Një përshëndetje studentëve që sot janë përsëri në rrugë. Uroj që të kenë jo vetëm dëshirën për të protestuar por edhe vullnetin për të dialoguar sepse në rrugë dilet për të kërkuar vëmendjen e vendimmarrësve ndaj shqetësimit që ke.

Ndërsa shqetësimi adresohet përmes dialogut me vendimmarrësit. Unë dua që ata ta dinë se kam shumë për t’u thënë por patjetër kam shumë dëshirë t’i dëgjoj ballë përballë pa censurë për opinionin publik, pa drejtues, pa administratorë, pa pedagogë, pra studentët e zgjedhur prej vetë protestuesve si të duan dhe këtë të duan vetë pa asnjë filtër partiak apo administrativ. Ky vend e ka fituar prej 5 vitesh lirinë e plotë të protestës pa asnjë rrezik prej plumbave apo hakmarrjes politike. Kemi qenë s’kemi qenë dakord për një protestë a një tjetër, protesta në vetvete e ka pasur të garantuar si kurrë më parë pacenueshmërinë e statusit të qytetarisë së saj. Unë ndihem shumë mirë për këtë dhe them të drejtën po të mund të zgjidhja dot, sot do të doja të isha dhe njëherë studentë protestues jo kryeministër në zyrë”, deklaroi kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë edhe në mbyllje të fjalimit të tij iu bëri thirrje edhe njëherë studentëve që të shkojnë në zyrën e tij. Ai tha se detyra e tij si kryetar qeverie është që t’i dëgjojë dhe të mbështesë shqetësimet e tyre.

“Po si kryeministër dhe si protestues i dikurshëm kam bindjen se duke dëgjuar njëri tjetrin dhe në këtë rast duke u bërë bashkë, për të shtyrë me forcë përpara modernizimin, mund të përshpejtojmë dhe bëjmë më mirë punë kolosale. Shkurt fjala se sa rrinë në rrugë dhe çfarë kërkojnë ata, kjo është e drejta e tyre legjitime. Ama detyra ime është që t’i dëgjoj dhe t’i mbështes në adresimin e shqetësimet e tyre në çdo rast që ata do të donin të bisedonin. Kur të duan dhe po të dëshirojnë të dinë ndonjë gjë, bujrum, kjo zyrë është e imja. Por pushteti i kësaj zyre është i kujtdo që kërkon ta përdorë për idenë e duhur në shërbim të vendit dhe shoqërisë dhe të ardhmes që fëmijët e Shqipërisë meritojnë”, tha Rama.

Veritas.com.al/