Me nota pozitive e ka cilësuar kryeministri Edi Rama mbylljen e mandatit të dytë qeverisës, edhe pse u has me dy sfidave të mëdha atë të tërmeti dhe pandemisë. Në mbledhjen e qeverisë Rama bëri bilancin e 4-vjeçarit që kaloi dhe paraqiti sfidat dhe ambiciet për mandatin e 3 qeverisës. Ai tha se javën e ardhshme do të prezantojë qeverinë e re, ku kabineti i ri do të ketë emra të rinj, por paralajmëroi se karriget nuk do të jenë të përhershme pasi do të ketë stola rezervë që do të energjizojnë ekipin në vijimësi. Kjo për Ramën është edhe avantazhi që do i jap kabinetit të tyre përballën rivalëve.
Kriza e tërmetit dhe pandemisë për Ramën u mirëmenaxhuan dhe se këto dy sfida do të shënojnë historinë e qeverisë 30-vjeçare të vendit. Ai bëri një apel të fortë për vaksinimi e popullsisë, si e vetmja mënyrë për të shmangur fatalitete nga COVID-19, ndërsa një falenderim të veçantë pati për Dr Najada Çomo, e cila edhe pse mori mandatin e deputetes e dorëzoi atë për t’iu përkushtuar pacientëve të shtruar në Spitalin Infektiv.
Ndërsa paraqiti bilancin e sektorëve gjatë mandatit të dytë ku vlerësoi punën në infrastrukturë, bujqësi dhe shërbimet ndaj qytetarëve, kritikat i pati për dy dikastere atë të Turizmit dhe atë të Arsimit. Rama tha se ky sezon veror tregoi një keqmenaxhim me plehrat në zonat turistike por edhe me administrimin e plazheve. Një tjetër kritikë ishte edhe për sektorin e arsimit, ku u fokusua në mungesën e aktiviteteve kulturore të fëmijëve dhe se ka shumë për të bërë si në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë.
Në fund Rama foli edhe për nismën ‘Ballkani i Hapur’, ku tha se në kuadër të kësaj do të fuqizohet i gjithë rajoni dhe i shërbejnë popujve të Ballkanit. Kryeministri foli edhe për kritikat ndaj tij për këtë nismës nga Prishtina dhe Tiranë, ku tha se nuk e shqetësojnë dhe se ato bëhen në kuadër të zjarrit politik të ditës. Në fund ai tha mesazhin e qartë se do të bashkëpunoj me qeverinë e Kosovës dhe do të bëjnë punë shumë të mira në të ardhmen.
Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës është futur në historinë e Shqipërisë, duke marrë një mandat të tretë radhazi, e duke u bërë kështu partia e parë që ka arritur ta sigurojë këtë rezultat në historikun e zgjedhjeve në vend. Socialistët kanë arritur që të marrin 74 mandate, të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, pa pasur nevojën e një koalicioni, e ndërsa PD 59 mandate, kurse LSI vetëm 4 të tilla.