Partia Socialiste kërkon objektivin e munguar në Vlorë, marrjen e 9 mandateve më 11 maj.

Kryesocialisti vlerësoi përmbysjen totale të listës së këtij qarku, në funksion të qëllimit për të thyer tabunë.

Këtë herë do të marrim një rezultat më të mirë. Një rezultat tjetër nga ajo që marrim zakonisht këtu. Do t’u japim mundësinë shumë qytetarëve që deri dje kanë qenë simpatizantë të punës që ne kemi bërë.

Rama e konsideroi ekipin e ri të Vlorës, si ofertën më të mirë, me prerjen e orekseve për socialistët lokalë, dhe hapjen e mundësive edhe për ish-demokratë.

“Këtu është në radhë të parë merita jote (për Çuçin),  ke bërë një përzgjedhje të kujdesshme dhe ke kapërcyer barrierat e socialistëve këtu. Ne jemi një parti e hapur për të gjithë. Edhe me prurje nga krahu tjetër politik, dhe kjo është shenjë e mirë.”

Kritika kishte kryesocialisti për deputetët aktualë të Vlorës, të cilët i fshiu nga lista e PS, përveç Vullnet Sinajt.

“Disa deputetë, që unë i konsideroj miq, nuk kanë rrezatuar asgjë këtu në Vlorë. Ajo që ndodh në këtë qytet rrezaton më pas edhe në territoret e tjera, dhe më vjen keq për faktin që nuk kemi dhënë aq sa duhet në këtë qytet. I vunë stërkëmbsha edhe Bashkisë. Duhet të vendosim tolerancë zero ndaj kujdo përfaqësuesi të PS që nuk i jep respekt dhe nuk i trajton në mënyrë të barabartë anëtarët e këtij komuniteti”.

Ai paralajmëroi se një sy i tij si kryeministër do të jetë në Vlorë, njëjtë si deputet, edhe pse prej 4 vitesh është tërhequr nga ky qark.

Rama u ndal dhe tek objektivi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, dhe vota për Partinë Socialiste sipas tij vlen edhe për të garantuar pavarësinë e drejtësisë. Ai pranoi se ka disa lajthitje nga SPAK dhe Gjykatat, por kujtoi se Sali Berisha po kërkon votën për shkirjen e tyre.

“Fushata këtu është me flamurin e BE. Por vota për PS është garante edhe e drejtësisë së pavarur. Pavarësisht se në këtë process të ri ka lajthitje, por e kemi bërë ne. Ne jemi më pranë zjarrit, por kjo është bërë falë nesh. Jemi garanci për vazhdimësinë. Kurse ai tjetri aty thotë më jep votën më 11 maj, më 12 ta shkrij SPAK.”

Rama iu përgjigj edhe gjithë kritikëve, të cilët e akuzojnë se nuk ka program në zgjedhje.

“Për disa ditë do publikojmë programin qeverisës, nuk kemi program elektoral, ne jemi qeveri, ato që i bëjmë i bëjmë.”

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *