“Reforma në drejtësi do të veprojë edhe për revolucionarët”
Presidentin, opozitën dhe një pjesë të shoqërisë civile që kanë kundërshtuar paketën anti-KÇK, Kryeministri Rama në foltoren e Parlamentit ku mbrojti aktin normativ, i grupoi në një front edhe pse nuk janë kundër për të njëjtën arsye.
“Si ka mundësi që pikërisht kur shfaqja më e thellë vija e kuqe me shtetit dhe krimit ngrihet një koalicion kaq i larmishëm mes segmentesh dhe protagonistësh nga media tek i ashtuquajturi presidenti i Republikës. Nga opozita deri tek Avokati i Popullit për t’i qarë hallin këtyre të shkretëve që kanë vrarë që kanë grabitur çfarë kanë mundur dhe kanë shantazhuar sa nuk merret as me mend. Tani po dhunohen në të drejtat e tyre njerëzore. Turp a nuk ju vjen fare që keni një mikrofon në dorë dhe jeni bërë karvan qorrash për të bërë pelegrinazhin në drejtim të qelive ku janë kyçur një pjesë e këtyre dhe në drejtim të atyre që nuk janë çuar akoma duke çuar mesazhin që ne jemi me ju, Ju çfarë prisni. Ngrihuni, bashkohuni dhe bëni atë që duhet bërë, mundësisht na i hiqni qafe. Si ka mundësi që kur ne shpallën këtë ofensivë këto viktima ishin djalli vetë në prehrin tonë dhe tani u kthyen në disa rob zoti që duhen marrë në mbrojtje sepse janë viktimë e qeverisë dhe shtetit policor. Këtu të çohen autoritet publike, si ai që rri në majë të piramidës dhe kërkon revolucione, dhe ta konsiderojnë si mëkat të qeverisë”.
Presidentit i kujtoi se nuk ka kthim pas as për këtë nismë dhe as për Reformën në Drejtësi që janë fytyra e kësaj mazhorance, siç zgjodhi ta quajë Kryeministri.
“Shumë kanë të gjitha arsyet që ta shohin këtë moment si një moment “o sot o kurrë”. Ilir Meta ka të gjitha arsyet që sot të jetojë si një moment “o sot o kurrë” sepse sot vija ndarëse mes të shkuarës dhe të ardhmes po bëhet gjithmonë e më e pafshishme me gomën e pazareve politike kur vjen puna tek drejtësia”.
Ironizoi disa herë manifestimin e Presidentit dhe valvitjen e flamurit amerikan, por ju drejtua dhe kur foli për penguesit e hapjes së negociatave dhe tha edhe arsyet e këtij qëndrimi nga ana e Presidentit.
“Vojo amerikani puth flamur pa leje. Reforma në Drejtësi mbi të cilën hedh baltë për të penguar negociatat, të veprojë njësoj dhe për revolucionarët”.
Nuk kurseu as kreun e opozitës; por as shoqërinë civile dhe mediat.
Përsëriti domosdoshmërinë që ka lufta ndaj krimit të organizuar përse është momenti i duhur tani, dhe ju përgjigj dhe akuzave për lidhjet e kësaj qeverie me krimin.
“Si qenkemi ne kaq të lidhur dhe zhytur, ne shkelim të drejtat e atyre që na qenkan tanët dhe ju i mbroni. Po ju i doni jashtë, i doni të patrazuar që natën të bëjnë punë për ju dhe ditën të na sulmoni ne. Të bësh politikë me krimin mbështet krimin. Shikojeni Italinë se kush kanë qenë njerëzit më të sulmuar nga krimi, ata që iu kundërvunë mafias. Prokurorët e vrarë janë sulmuar nga gazetarucët. Ne nuk kemi hapur një luftë për ta lënë rrugëve. Duhet një strategji e tërë për të rrethuar të keqen dhe kriminelët në sistemin e drejtësisë. Ky është qëllimi”.
Kryeministri premtoi se pas këtyre nismave, radha shumë shpejt do t’ju vijë politikanëve për t’u vërtetuar, por kjo siç thotë, nuk mund të bëhet nga qeveria.
VERITAS.COM.AL/