Nga Artur Zheji, 360 Gradë/

E ndoqa pak kryeministrin në “llogaridhënien” e vet, në një fshat të Sarandës, nën hijen e ca pemëve, në formë të mirë fizike dhe më i qetë se herët e tjera.

Ballë për ballë dhe sy më sy, kësaj radhe me minoritarët e butë dhe hallexhinj të asaj zone.

Pa ide dhe thjesht duke përsëritur adresën në internet të “Portalit Çudibërës”, ku mjafton të shkruash për hallin përkatës dhe natyrën e hallit dhe “halli” është i zgjidhur, pothuajse si në përralla.

Qesharake apo e vërtetë?

Ndoshta të dyja bashkë nga pak, edhe, edhe…

Por kryeministri është në fushatë, nën hije të rrapit apo nëpër fusha, me rob rreth e rrotull, me apo pa dhëmbë, pleq e plaka që nuk dinë se çfarë është interneti, porse janë aty rrotull kryeshefit me shpresën se mbarojnë dot ndonjë punë…

Dhe kryeshefi i qeverisë, vazhdon “fushatën e 1 vjetorit të fitores”, duke vrapuar me “kupën” e fitores, qytet më qytet e fshat më fshat, duke vlerësuar prezencën si të rëndësishmen gjë që duhet dhe di të bëjë më së miri e pa përtuar.

Kjo nuk se bën ndonjë përshtypje tashmë dhe askush nuk e gjykon dot nëse ngre apo ul pikë për besueshmërinë e tij, porse sidoqoftë krijon një përshtypje që makina elektorale e Ramës, mbetet gjithmonë ndezur, ndërsa ai, e mban këmbën në gaz, herë në minimo e herë më fort…(megjithëse thonë se nuk di të ngasë makinën).

Çështja shtrohet që Opozita merr pushimet e veta të gjata, ndërsa pushteti, jep e merr me elektoratin, a thua sikur Zgjedhjet janë nesër…

Opozita pra?

Ku është këto ditë ajo?

Ja të presim ndonjë shkëndijë apo ndonjë “sms” dhe të brofim të gjithë në këmbë, për “përmbysjen e madhe”…

Të viteve që do të vijnë.

Veritas.com.al/