Kryeministri Edi Rama bëri thirrje për një sistem të përbashkët mbrojtjeje të kontinentit europian për çështjet e sigurisë kibernetike. Gjatë fjalës së tij në kongresin e Partive Socialiste Europiane, Rama foli për sulmin e Iranit kundër vendit tonë, duke paralajmëruar se nuk do të jetë i vetmi.
“Besoj se do të përballemi me shumë të tjera, jo vetëm Shqipëria, por të gjithë, dhe më duket e pabesueshme sesi Shqipëria nuk ka dalë me një sistem të përbashkët përgjigjeje kur bëhet fjalë për sigurinë”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për çështjet e emigrantëve shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar, një problem me të cilin autoritetet britanike janë marrë gjerësisht gjatë kësaj vere.
“Qeveria britanike na thotë që duhet t’i ndalim. Si mund të jetë puna e qeverisë shqiptare të vërë rregull në kanalin atje, nuk e di? Por e di që nëse nuk arrijmë të shkojmë në burimin e problemeve, dhe nëse vijojmë të flasim për Europën e bashkuar dhe më pas nuk veprojmë kur bëhet fjalë për të vepruar bashkë, do të humbim, dhe do të humbim shumë”, tha Rama. “Sepse demokracitë kanë një disavantazh të madh kur bëhet fjalë për luftën ndaj autokracive. Kufiri i dhimbjeve për njerëzit që jetojnë në autokraci është shumë më i lartë se sa ai i njerëzve që jetojnë në demokraci”.