Të gjithë ata që po protestonin jashtë parlamentit kundër paketës Antishpifje, Kryeministri Edi Rama i quajti nga brenda sallës si përfaqësuesit e një xhungle dezinformuese.

Në një fjalim të gjatë në mbrojtje të nismës së qeverisë, teksa disa shoqata të mediave po protestonin, kreu i qeverisë akuzoi me emra, shumë nga përfaqësuesit e medias se kanë abuzuar duke publikuar lajme që kanë dëmtuar reputacionin e tij, familjes së tij, qeverisë apo partisë së tij.

Rama thotë se ligji është bërë për t’u dhënë mundësi qytetarëve apo bizneseve që sulmohen pa të drejtë nga mediat përmes lajmeve të pavërteta dhe abuzive, të kenë një mekanizëm për t’u mbrojtur.

Vetë thotë se nuk do ta përdorë këtë mekanizëm, pasi do të vazhdojë t’i drejtohet gjykatës për çdo lajm të pavërtetë në adresë të tij. Rama deklaroi se nisma ka patur mbështetjen e plotë të OSBE.

Rreshtoi një sërë vendesh që kanë ligje shumë të ashpra për rregullimin e tregut të mediave dhe tha se ndërkombëtarët që e kanë monitoruar hartimin e këtij drafti nuk i kanë lejuar të përdorin të njëjtin standard.

Pasi u kërkoi qytetarëve që të denoncojnë pranë Këshillit të Ankesave çdo lajm që u cënon të drejtat dhe liritë e tyre, paralajmëroi dhe dekretin e Presidentit për këtë ligj.

Ligji pësoi përmirësime që u përshëndetën nga përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, Harlem Dezir. Por disa shoqata të mediave e kundërshtojnë edhe këtë variant.

Veritas.com.al/