Kryeministri Rama foli këtë të martë për krizën energjetike, duke e quajtur atë “luftë dhe jo një lojë”. Rama bëri thirrje për kursim të energjisë. Ndërkohë, ai paralajmëroi vendosjen e fashës 800kWh në muajin nëntor.

“Edhe për muajin nëntor po rrimë të shohim nëse do të kemi ndonjë mundësi, që për momentin nuk e kemi”, u shpreh Rama.

Aplikimi i çmimit të energjisë prej 42 lekësh për konsumin mbi 800 kilovatorë ishte parashikuar të niste në muajin tetor, por kryeministri Rama vendosi ta shtyjë, sipas tij, për dy arsye: “Kemi pasur reshje që kanë shtuar kuotat në Fierzë. Dhe së dyti një trend kursimi”, tha Rama në atë kohë.

Tashmë është ende e paqartë nëse fasha do të aplikohet në muajin nëntor.