Kryeministri Edi Rama i ka dhënë një përgjigje thashethemeve e deklaratave të fundit të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për një plan mes Ramës- kryeministër i Shqipërisë, presidentit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë për copëtimin e Shqipërisë.

Në konferencën e përbashkët me Mogherinin, Rama kujtoi dy shprehi, e para ‘Budallain sa pa dalë Facebook e njihte vetëm shtëpia e vet’ dhe e dyta ‘nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë bëje të pabesueshme’. Ai i cilësoi deklaratat për ndarjen e Kosovës gënjeshtra të përmasave marramendëse dhe budallallëqe të rrezikshme.

Kreu i qeverisë tha se në këtë çështje do të flasë më gjatë një herë tjetër.

“Sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën dhe për të krijuar një hartë të re të botës në mënyrë të fshehtë, më kujton atë shprehjen që sa pa dalë ‘Facebook’ budallain e njihte vetëm shtëpia e vet. Jetojmë në një botë nga pikëpamja fatkeqe. Nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë bëje të pabesueshme është në përdorim të përditshëm duke përfituar nga Facebooku dhe mundësia për torollisur gjithë dynjanë me gënjeshtra të përmasave marramendëse dhe budallallëqe të rrezikshme. Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtet dhe jo dy shtete, por të gjitha shtetet e botës që përfshin parlamente, parti politike, shoqëri, votime referendare në fund mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojnë të gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe atëherë kjo botë ka marrë fund. Por çdo shqiptar e kupton se kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që të mund të shitet dhe blihet në territorin e marrëzisë online. për më shumë do të shpjegoj më tutje kur të më jepet mundësia. Kaq besoj se mjafton për sot. Falënderoj Federicën, ata në komision që po punojnë për raport progresin. kam shumë besim se do marrim rekomandim pa kushte”, theksoi kryeministri.

Veritas.com.al/