Në vijim të vizitës së tij në Greqi, Kryeministri Edi Rama u prit në takim nga Kryetari i Parlamentit grek, Konstantinos Tasoulas, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve, si dhe shprehën dëshirën dhe vullnetin e përbashkët për forcimin e tyre të mëtejshëm, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Parlamentit Konstantinos Tasoulas bashkëvlerësuan rolin e minoritetit grek në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Greqi, si ura solide miqësie mes vendeve.
“Është kënaqësi e veçantë që jemi sot në Athinë, marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe në përmirësim të vazhdueshëm. Dëshira e dyanshme për t’i forcuar këto marrëdhënie çdo ditë, është shumë e madhe dhe baza e këtyre marrëdhënieve janë pa dyshim të dy popujt tanë dhe urat e forta mes nesh, janë qoftë qytetarët grekë që jetojnë në Shqipëri dhe qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi”, u shpreh Kryeministri Rama.
Nga ana e tij, Kryetari Tasoulas shprehu mbështetjen e Greqisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke vlerësuar progresin e bërë nga vendi ynë në këtë aspekt.
“Me të drejtë vendi juaj synon ecjen drejt integrimit evropian, me të drejtë vendi ynë mbështet rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Me të drejtë të dyja vendet tona, duke pasur ura lidhëse minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar ne Greqi, po ecin përpara“, u shpreh ai gjatë takimit.