Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg vlerësoi gatishmërinë e aleancës për të vënë në funksion një bazë detare në Porto Romano.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha gjithashtu se ndihet krenar që parlamenti shqiptar është ndër të parët që ka ratifikuar protokollet pro aderimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Shqipëria është krenare për rolin e saj në rajon.
“Ne besojmë se është tejet e rëndësishme që të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që përfshin Serbinë, që nuk është pjesë e aleancës tonë por është pjesë e rajonit”.
Rama përsëri kërkesën që Kosova të përfshihet në Partneritetin për Paqen “edhe pse e dimë që ka disa kufizime politike nga disa aleatë dhe e dimë se ky është një mekanizëm konsensual”.
E pranishme në vizitën zyrtare ishte dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Autoritetet shqiptare janë në bisedime me NATO-n për të ndërtuar një bazë detare në Porto Romano, një port i cili është në ndërtim e sipër në Adriatik.
Ishte vetë kryesocialisti që zbuloi përmes një konference për shtyp se Porto Romano, do të ketë një seksion tregtar si dhe një bazë detare ushtarake.
Baza ushtarake do të ndërtohet dhe do të bashkëfinancohet nga NATO dhe Shqipëria.
“Së shpejti do të kthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë…për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri në Durrës”, nënvizonte kryeministri.
Në muajin maj, Rama zbuloi se qeveria e tij po i ofronte NATO-s bazën e saj detare në Pashaliman.
Pashalimani u krijua nga Moska si një bazë nëndetësesh në vitet ’50 për të pritur 12 nëndetëse pranë Vlorës, ku bashkohen detet Adriatik dhe Jon.
Në një kohë mbi të gjitha si kjo e sotmja, ku agresioni rus në Ukrainë ka qenë ndryshues për gjithë botën, siguria shndërrohet në temë epiqendër edhe më të rëndësishme.