Frrok Çupi/
Po të bjerë ambasadori Lu, këtu bie qeveria. Në Maqedoni, ambasadorit amerikan iu kërkua dorëheqja. Në vendet e Ballkanit Perëndimor- veçanërisht- ambasadorët janë konsideruar si dora e George Soros. A mund të jenë njëkohësisht edhe shërbëtorë të shtetit edhe dora e Sorosit?…
Ka një mosmarrëveshje tragjike mes asaj që u nis e asaj që u ngjit deri këtu rreziku i ambasadorit. Këtu, në këtë pikë ku jemi, ambasadori bie bashkë me qeverinë; kjo është shumë… Kur u nis, herët që në Mesjetë, ambasadori u krijua si “shërbyes”, shërbyes të qeverive. Fjalori me origjinë nga latinishtja dhe i njohur botërisht aty nga shekulli 14, e njeh si “shërbyes”. Në Shqipërinë dhe Ballkanin e shekullit 21, kapërcimi shënon të paarsyeshmen: Ambasadorët janë mbi të gjithë; në shtatë shekuj u ngjitën nga shërbëtor në mbret.
Kjo është arsyeja pse tronditet shoqëria dhe shteti kur bie ambasadori.
Sot ambasadori Lu ra në panik. Iu sul Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës dhe quajti “armik i Reformës në Drejtësi”. Ndaloi aplikimin e vizave për prokurorë dhe gjykatës që “i gjykon ai” si të papërshtatshëm. Njoftoi votuesit shqiptarë se me këtë qeveri nuk mund të ketë zgjedhje të lira…
Sapo deklaratat e ditës iu kthyen bumerang, ambasadori (sipas lajmeve në media) kërkoi takim me presidentin e Republikës, por ky “e refuzoi”. Kërkoi takim me kryeministrin, por ky e përcolli të “ministri i brendshëm”. Nga një sundimtar i pacenueshëm, brenda ditës ambasadori paraqiti pamjen e një nëpunësi në panik. Ishte e njëjta ditë kur homologut të tij në Shkup iu kërkua dorëheqja nga Uashintoni, ndoshta me të njëjtën arsye pse ky këtu ka rënë në panik.
Arsyet e gjendjes së ambasadorit janë shumë të njohura:
Fatkeqësia e tij – që u zu në grackë nga George Soros, i cili mbante çelësat e shefave të tij në zyrat e Uashintonit. Gjatë misionit në Shqipëri mbajti në duar “fëmijët “ e Soros që janë qeveria dhe klientët e saj. Në zgjedhjet presidenciale ai dhe këta ishin të sigurt se fiton Hillary plus Soros, por nuk ndodhi kështu. Këtu ra, në fakt këtu ka rënë ambasadori dhe qeveria sorosiane; kaq thjesht. Edhe ai i Maqedonisë po thërritet në Uashington si “sorosian”. George Soros po shpallet “rrezik kombëtar” në Shtetet e Bashkuara…
Çështja është: Pse ndodh që me rënien e ambasadorit të bjerë qeveria?
1.
Ambasadorët u “hutuan” në udhëkryqin e dilemave nëse Amerika është “demokraci” apo “republikë”? Prej vitesh ky diskutim është shtruar në tryezat e filozofëve dhe në katedrat e studiuesve. Teoria e fituar më së shumti ka qenë se Amerika është edhe Republikë, edhe Demokraci. Mirëpo ambasadorët nuk janë të detyruar të jenë as teoricienë as filozofë, ata janë thjesht korrierë të qeverisë. Thjeshtëzimi prej mendjes së tyre arriti pikën që e quajtën Amerikën një “imperatori”- gjë që nuk ishte e saktë. Ambasadorët sunduan në shoqëri të dobëta ku ka qeveri të korruptuara si në Shqipëri; sunduan në mënyrë imperiale- nga lart poshtë. Kështu u bë edhe Lu një imperial. Ditën që bie ai, bie edhe qeveria me të cilën krijoji “imperialitetin” e sundimit përpendikularisht.
Ambasadorët e ngushtuan edhe më shumë konceptin e demokracisë dhe të republikës. Në rastin tonë ambasadorët e fundit të Shteteve të Bashkuara e kanë konsideruar veten si përfaqësues të Oligarkisë. Zoti Lu, zoti Withers dhe Arvizu u sollën si përfaqësues oligarkie. Oligarkia e përqendron pushtetin në më pak duar se të gjithë. Këta guxojnë t’i thonë dikujt “ti je burrë shteti”, tjetrit “ti je kriminel”, tjetrin ta përkëdhelin duke e lejuar të mbjellë drogë, etj. Në fakt ne nuk dinim se ata mbaheshin nga pak duar në Amerikë: Soros dhe Hilalry- shumë shumë. Tani që në Amerikë ka fituar era e Trump, këta bien. Por bashkë me ta bie edhe qeveria që e mbajtën më këmbë.
3.
Ambasadorët e fundit u bazuan mbi kodet primitive të vendit dhe krijuan “imperatorinë”. Në Shqipëri Withers kishte mësuar të lavdëronte Skënderbeun, ndërsa Lut ë fliste një shqipe të sakatuar. Mendonin se bënin nder, por në fakt ngrinin “kulte” të gabuar. Kulti më i fuqishëm që ngritën ishte ndëshkimi alias albanian. Ky ishte kulti i vizave dhe i “dashurisë për Amerikën”. Ambasadorët vendosën një ndëshkim jashtë- gjyqësor, duke seleksionuar kundërshtarët e qeverisë dhe duke mos iu dhënë vizë hyrëse për Amerikë. Por ky është një ndëshkim i madh kodik. Tani që ra edhe “gjykata” e ambasadorit, qeveria nuk ka ku rri.
… Çuditërisht, në këtë rast “shtëpia” bie së prapthi: duke hequr tjegullën e fundit. Ambasadori nuk është shënjuar si zot, por si shërbyes.
/Veritas.com.al/