Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj foli në Debat në A2 CNN dhe rreth çështjes së nëse mund të ndryshohet rezoluta e Dick Marty 11 vite pas prezantimit të tij.

Sipas Hoxhajt, do të duhet një lobim i fortë i Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe në parlamentet kombëtare të vendeve anëtare, pasi asnjëherë nuk është vonë për të shkuar tek e vërteta.

“Ka qenë e domosdoshme që Shqipëria ta rikthejë këtë rezolutë në Këshillin e Europës. Hapi i parë është i rëndësishëm. Do të varet shumë se sa Shqipëria do të lobojë në këtë institucion dhe do të duhet të lobohet me parlamentet kombëtare që përfaqësohen në Këshillin e Europës dhe të shihet se si mund të shkohet përpara me këtë temë. Unë jam i bindur se për të ardhur tek e vërteta asnjëherë nuk është vonë. Qasja e kryeministrit ishte e duhura. Tani kërkohet që të lobohet në kryeqendrat që duhet të marrin qëndrim për një çështje që është e rëndësishme për historinë e Kosovës dhe që ka të bëjë me luftën dhe sakrificën tonë për të ardhur deri te pavarësia. Jam i bindur që nuk është vonë që deputetët e Këshillit të Europës t’i kthehen ndërgjegjes dhe ta rishikojnë atë rezolutë”, u shpreh Hoxhaj në Debat.