Shqipëria do të ndihmojë Kosovë me furnizim me energji elektrike në mënyrë që qytetarëve mos tju mungojnë dritat në dy ditët e festave të fundvitit.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Twitter, ku shkruan se pavarësisht se edhe vendi ynë është në krizë energjetike, sërish nuk mund që në gëzime popullore siç është Viti i Ri, të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi.
Për këtë Rama bëri me dije se i ka kërkuar Ministrisë së Energjisë që të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës në mënyrë që qytetarëve të mos u mungojë rryma në dy ditët e festës.
“Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjitike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi! Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës, që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve!”, shkruan Rama.
Kosova është duke u përballur prej ditësh me krizë energjetike. Për shkak të kësaj krize energjetike qytetarët, nga 22 dhjetori po përballen me reduktime të energjisë elektrike. Në një deklaratë për mediat, një ditë më parë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se në situatën ku ndodhet vendi, vetëm dy janë zgjidhjet për këtë situatë, reduktimi ose shtrenjtimi i energjisë. Ai i kërkoi qytetarëve që të vijojnë të përdorin energjinë elektrike me në mënyrë racionale.
Kriza energjetike ka goditur të gjithë botën ndërsa kujtojmë se vendi ynë deri në 15 prill të 2022 vendi është nën emergjencën e furnizimit me energji elektrike. Për të përballuar këtë situatë në buxhetin e ri janë përcaktuar 8 miliardë lekë për të blerë energji. Po ashtu qeveria është zotuar për të mbrojtur nga shtrenjtimi i mundshëm i çmimit bizneset e vogla dhe familjet.