Janë publikuar çmimet e reja të vendosura nga Bordi i Transparencës për naftën, benzinën dhe gazin. Duke nisur nga sot ora 18:00 nafta do të kushtojë 2 lekë më shumë, pra nga 208 lekë që ishte do të shitet me 210 lekë për litër. Rritje ka pësuar edhe çmimi i benzinës! Nga 189 lekë që ishte më parë, do të shitet me 192 lekë për litër. Ulje ka pësuar vetëm çmimi i gazit, i cili do të shitet me 69 lekë për litër, nga 71 lekë që ishte më parë.
‘Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 24.01.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 892, +50 nga data 16.01.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 978, +41 nga data 16.01.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje të lehtë në 107. 56 (-0.43 nga data 16.01.2023). Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë : Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 192 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 180 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 69 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 57 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 116 lekë/litër.’- njofton Bordi.