Në ditën e 21 të luftës, Ukraina mbetet pezull mes shpresës për një përparim diplomatik, sot zhvillohen bisedimet e reja, dhe realitetit të bombardimeve ruse. Presidenti ukrainas Zelensky pranoi dje se vendi i tij nuk do të anëtarësohet në NATO, por përgjigjja e Putinit ishte se “Ukraina nuk është serioze dhe nuk dëshiron një zgjidhje të pranueshme”.

Mateusz Morawiecki, Petr Fiala dhe Janez Jansa, kryeministrat e Polonisë, Çekisë dhe Sllovenisë, shkuan dje në Kiev, në një gjest simbolik por edhe me mesazh politik. Gjatë bisedimeve me tre kryeministrat, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se bisedimet e paqes me Rusinë kanë filluar të “duken më realiste”.  Po ashtu edhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se bisedimet e paqes me Ukrainën nuk janë të lehta, por se ka shpresë për kompromis.

Në Kiev, të rrethuar nga forcat ruse, vijon shtetrrethimi total prej 36 orësh i vendosur nga autoritetet ukrainase. Mariupol mbetet nën rrethim, ndërsa Odessa u bombardua edhe nga deti. Numri i viktimave nga bombardimet ruse po rriten çdo ditë, ku Kiev konfirmon se 103 fëmijë kanë humbur jetë.

Në spitalin e Mariupol, truse po mbajnë peng 400 persona, përfshirë mjekë dhe pacientë. Kremlini iu përgjigj dje sanksioneve të reja të SHBA-së duke ndaluar 13 amerikanë të hyjnë në Rusi, përfshirë presidentin Joe Biden.