Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, shkruan se sot, në samitin e NATO-s, ka kërkuar që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.
“Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën, pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën”.
I bazuar në bashkëpunimin praktik, qëllimi i Partneritetit për Paqe është që të rrisë stabilitetin, të zvogëlojë kërcënimet ndaj paqes dhe të ndërtojë marrëdhënie të sigurta dhe të fuqizuara, ndërmjet vendeve partnere individuale dhe NATO-s, si dhe ndërmjet vetë vendeve partnere.
Sipas tij, kjo bëhet duke rritur ndërveprimin konstruktiv me Serbinë të BE-së dhe vendeve të NATO-s.
Në fjalën e tij gjatë samitit, numri një i Qeverisë shqiptare ka vlerësuar marrëveshjen e arritur mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, “duke çmuar qasjen e drejtpërdrejtë të presidentit Erdogan në funksion të një shqetësimi shumë serioz të shtetit turk”.
Për të, kjo marrëveshje mbetet një shembull për zgjidhjet e problemeve mes aleatësh.
Nuk kishte si të mungonte edhe biseda me presidentin amerikan, Joe Biden.
“Dëgjova nga Presidenti Joe Biden fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO, si edhe shprehjen e dëshirës së tij për të organizuar diçka bashkërisht me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA”, përmbyll Rama postimin e tij.