Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar pasoja në cilësinë e partneritetit me Kosovën, në rast se kryeministri Albin Kurti, nuk dëgjon kërkesat e SHBA-së për çështje të ndryshme.
“Në masën që qeveria është e përgjegjshme për gjërat që ne besojmë se janë të rëndësishme dhe të cilat besojmë se e avancojnë trajektoren evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës, rrit partneritetin tonë. Në masën që qeveria nuk përgjigjet kjo ndikon në cilësinë e partneritetit tonë”, ka deklaruar Hovenier në RTV 21.
Ambasadori amerikan ka thënë se nuk po shohin që Qeveria t’u përgjigjet shumë kërkesave të tyre.
“Nuk është gabim të thuhet se jemi të shqetësuar dhe do të donim që të shihnim përgjegjshmëri më të mëdha ndaj kërkesave tona nga ajo që ne po shohim se kemi në këtë kohë”.
Ndërkohë, kjo vjen edhe pasi kryeministri Kurti bëri një kthesë të lehtë në lidhje me presionin e ndërkombëtarëve për shtyrjen e heqjes se dinarit serb.
Ai pranon se mënyra se si është komunikuar vendimi për dinarin, nuk ka qenë e duhura, prandaj, vuri në dukje se një periudhë tranzicioni është e nevojshme.
Shefi i qeverisë së Kosovës thotë se në këndvështrimin praktik, ky vendim nënkupton se pagesat e marra nga serbët e Kosovës janë ende të lejueshme, por do të depozitohen në llogaritë e tyre me Euro./ A2CNN