“Nëse ende nuk e ka bërë tashmë, Ukraina do të përdorë bomba thërrmuese në orët dhe ditët e ardhshme”. Kështu tha në një intervistë për CNN, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, duke konfirmuar se forcat e Kievit kanë marrë bombat thërrmuese amerikane.

Disa ditë më parë një gjeneral ukrainas konfirmoi se vendi kishte marrë municionet thërrmuese nga SHBA pasi presidenti Joe Biden njoftoi se kishte marrë “vendimin e vështirë” për të miratuar transferimin e tyre në Ukrainë.

“Sapo i kemi marrë, nuk i kemi përdorur ende, por ato mund të ndryshojnë rrënjësisht [fushën e betejës],” tha Gjenerali Oleksandr Tarnavskyi, komandanti i Operacionit të Forcave të Përbashkëta Tavria.

“Armiku e kupton gjithashtu se me marrjen e këtij municioni do të kemi përparësi. Armiku do të heqë dorë nga ajo pjesë e terrenit ku është e mundur të përdoret kjo”, shtoi ai.