“Shqipëria po ecën me ritme të pandalshme”. Kështu e nis artikullin e saj media maqedonase novatv, në një analizë të gjatë për Tiranën dhe Shkupin, të cilat prej më shumë se tre muajsh i kanë ndarë rrugët sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Që kur u shkëput nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria ka hapur dy grupkapituj, fillimisht në muajin tetor u çelën negociatat për “themeloret” e më tej në dhjetor për marrëdhëniet me jashtë.

Duke u ndalur te fakti se Maqedonia e Veriut nuk i ka përmbushur detyrimet e saj të përcaktuara në kornizën e negociatave, ku një nga kushtet ishte përfshirja e bullgarëve në preambulën e kushtetutës së vendit, theksohet fakti se Shqipëria tejkaloi ngërçin e krijuar me Greqinë, edhe pse mes dy vendeve ka ende çështje të pazgjidhura, siç janë edhe kufijtë detarë.

Ndërsa duke iu referuar burimeve nga Shkupi thuhet se “Maqedonia e Veriut duhet ta ketë zili Shqipërinë, jo vetëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian por edhe në rrjetet ndërkombëtare, ndërkohë që ne po kërkojmë një rrugëdalje nga ngërçi në të cilën kemi ngecur në integrimin europian.”

E këtu një vëmendje të veçantë merr samiti i Komunitetit Politik Europian që do të mbahet në Tiranën më 16 maj, e që do të presë liderët me të lartë europiane për të vijuar më tej me samitin e NATO-s, në 2027.

Ardhja e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe krerëve më të fuqishëm të botës, do ta bëjë Tiranën një vend më të njohur jo vetëm në hartën politike të Europës por edhe të Botës.

Si shembull i mbështetjes që Shqipëria ka marrë në arenën ndërkombëtare jepet modernizimi i bazës ajrore të Kuçovës, e cila do të shërbejë si qendër kryesore për aleancën.

NATO investoi 50 milionë euro në rinovimin e kullës së kontrollit, pistat, hangarët dhe magazinat.

Është e habitshme thuhet në shkrim sesi një vend i izoluar si Shqipëria dikur, të shndërrohet në një destinacion mjaft tërheqës për biznesmenët, politikanët, ushtritë dhe turistët, ku vetëm këtë vit, aeroporti i Tiranës, arriti të priste më shumë se 10 milionë pasagjerë

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *