Shqipëria nuk shihet më vetëm si një vend që pret nga Brukseli para, apo mbështetje politike.
Shkëmbimi mbi dy dekada me unionin, e ka bërë vendin tonë të dobishëm, dhe kjo tashmë po artikulohet nga ekpertë të huaj e vëndas, madje pranohet edhe nga vetë diplomatët.
Silvio Gonzato është ambasadori i ri i BE-së në Tiranë, i cili foli për herë të parë këtë të mërkurë për vlerat e Shqipërisë, duke u nisur nga takimi i parë i tij me Shqipërinë, teksa vetë përfaqësone BE-në në OKB.
“Më lejoni të them se përvoja ime personale. Unë vij nga Nju Jorku ku kam marrë dorën e parë të kuptimit të vlerës së shtuar të Shqipërisë. Kam parë se sa të aftë kanë qenë diplomatët tuaj për të siguruar që Shqipëria si anëtare Këshilli i Sigurimit të mund të kontribuojë vërtet në mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Me të vërtetë ka qenë fantastik bashkëpunimi me ta. “
Shqipëria vlerësohet për rolin e saj në rajon, si i vetmi vend pa probleme fqinjësie.
“Shqipëria është një aset i madh për Bashkimin Evropian nuk ka dyshim për këtë. Një kontribut tjetër që Shqipëria duhet të japë është roli i saj konstruktiv në nivel rajonal, diçka që vlerësohet shumë në Bruksel. Shqipëria është një faktor domethënës për paqen dhe stabilitetin në rajon.”
Shqiptarët e pranishëm në këtë tryezë diskutimi, e ngacmuan ambasadorin e BE-së, që është një italian, por edhe atë të Spanjës, për skuadrën tonë të futbollit, që do të përballet me kombëtaret e tyre në Evropian.
Ambasadori i Spanjës, duke folur për soft poëer, apo fuqinë e butë, e renditi kombëtaren shqiptare si një ndër vlerat e vendit.
“Harmonia fetare është një vlerë e cmuar e Shqipërisë. Këtu përfshihet edhe një ekip i jashtëzakonshëm futbolli dhe jam i sigurt që do të pajtoheni me këtë”
Në diskutimin e thirrur nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, mori pjesë edhe ambasadorja e Greqisë, vend i cili, pavarësisht presioneve për cështjen Beleri, nuk e bllokoi negociatën e Shqipërisë.