Në pritjen e JO-së së mundshme të Bullgarisë për hapjen e negociatave, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia po mendojnë të refuzojnë pjesëmarrjen në Samitin e Bashkimit Europian që mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel. Sot pritet që Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut të marrin një vendim në lidhje me pjesëmarrjen në Samitin e Brukselit, BE-Ballkani Perëndimor.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, sqaroi se pas një bidesë të gjatë me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së, u arrit në përfundimin se duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të vijë nga Samiti.
“I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!’- shkroi Rama.
Vetoja Bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut qershorin e kaluar, ka bllokuar procesin e negociatave edhe për vendin tonë. BE ka hezituar që t’i trajtojë të ndara në procesin e integrimit, të dy vendet e Ballkanin Perëndimore, më argumentin se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.
Ndryshe nga konferencat e mëparshme, Shqipëria brenda dy viteve të fundit, arriti të mposhtte skepticizmin e disa vendeve anëtare të cilët konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë edhe aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.