“Të presim Rusinë të thotë të vërtetën, është si të presim Godonë. Kurrë nuk do të vijë”.
Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, ka mbajtur fjalën e tij të radhës në Këshillin e Sigurimit, ku ka folur parësisht mbi agresionin rus, pas fjalimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, përpara 15 anëtarëve të Këshillit.
Gjithsesi, sipas Hoxhës, lajmi i vërtetë në këtë mes, është ajo çfarë Rusia po lë pas.
Për ambasadorin shqiptar, është absurde se si Rusia po përpiqet të bindë botën se tanket e lëna pas apo trupat e civilëve të vrarë e të djegur, janë pjesë e propagandës ukrainase.
“Si mund të kërkosh t’ia hedhësh njerëzve këtë të vërtetë”, vijoi Hoxha.
Teksa, ai nuk la pa përmendur faktin se krimet ruse në Ukrainë, janë dokumentuar edhe nga media ndërkombëtare të pavarura. Ndërsa vetë popullit rus, po i fshihet e vërteta në mediat e Kremlinit.
Mbështetjen për palën ukrainase, ai nuk e ka fshehur në asnjë presje të fjalimit. Ndërsa, për Rusinë, qartësoi se pas hetimeve të pavarura, Moska duhet të përgjigjet përpara drejtësisë.
“Asnjë shtet nuk e ka parë veten të kalojë nga një prej 10 fuqive botërore, në një pari financiare dhe ndërkombëtare”, shtoi ambasadori. “Ndërsa ngushëllimin, e gjejnë në diktatura si Koreja e Veriut apo Siria”.
Zgjedhja për Vladimir Putinin ndërkaq, mbetet e qartë: Të ndalojë këtë që po bën, ose të vijojë të bjerë në abisin e krijuar prej tij vetë!