Fredi Beleri hoqi dorë nga pyetja si dëshmitar i kreut të PBDNJ, Vangjel Dule, në procesin ndaj tij në Gjykatën e Posaçme. Dule ishte kërkuar si dëshmitar vetëm nga mbrojtja dhe bashke me të u kërkua heqja dorë edhe nga dëshmitari Marjus Suli.

Seanca e së mërkurës ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, u shty për në 5 dhjetor, me qëllim gjetjen dhe pyetjen e dëshmitarit të kërkuar edhe nga SPAK, edhe nga Beleri, Abdyl Rama.

Ai është vëllai i Arsen Ramës, personit që bashkëpunoi me prokurorinë duke kryer veprime të simuluara me Belerin dhe Pandeli Kokaveshin.

Për seancën e sotme, policia e Himarës njoftonte gjykatën se dëshmitari Abdyl Rama nuk ishte gjetur. Prokurorja e SPAK në sallë, i paraqiti gjykatës një kopje të sistemit TIMS, ku rezultonte se dëshmitari kishte lënë Shqipërinë në muajin shtator.

Për këtë shkak, prokurorja kërkoi lejimin e leximit të deklarimeve të tij në prokurori. Kërkesa u kundërshtua nga avokatët, që pretenduan se dëshmitari ishte në Shqipëri, se ishte parë në qytetin e Vlorës dhe se ditët e fundit edhe kishte postuar foto nga ky qytet.

Në të njëjtën seancë nga kafazi i sallës së gjyqit, në një deklarim të lirë, i pandehuri Beleri tha se gjykata kishte gabuar në seancën e kaluar kur pyeti dëshmitarin Arsen Rama në një seancë me dyer të mbyllura.

“Nëse do t’i rrezikohej jeta, prokuroria do ta kishte marrë në mbrojtje”, tha Beleri.