Koment/ Pasi të rrethojnë selinë e qeverisë, strategjistët e opozitës kanë menduar se do të thonë: “E rrethuam me lejen e Policisë”. Mund të ushtrojnë dhunë ose jo, mund të shpërndajnë hallvë ose pilaf…, kjo është tjetër gjë. Por më së shumti duket që opozita po mendon që ditën e protestës, 16 shkurt, ta kthejë në një ditë ‘fitimtare’ që do të rrethohet selia e qeverisë.

Taktika e kërkuar nga opozita u ngjan betejave në kohë mesjetare, kur një ‘fitore’ konsiderohej fitore nëse ‘shkelet’ trualli i armikut dhe i bastiset shtëpia. Ndërsa në epokën e re e njëjta gjë ka ndodhur në 14 shtator 1998, kur opozita PD rrethoi selinë e qeverisë, i vuri flakën dhe e pushtoi…, por pushtetin nuk mund ta merrte.

Opozita ka bërë kërkesë para Policisë së Shtetit për zhvillimin e protestës së 16 shkurtit. Në letrën dërguar policisë opozita shkruan: “Ju njoftojmë se tubimi i datës 16 shkurt do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e kombit” në sheshin para kryeministrisë, Lulishtja tek piramida dhe rruga “Ismail Qemali”. Të dy hapësirat në anë të selisë së qeverisë janë ose lulishte ose rrugë- kalimi për qytetarët. Duke marrë leje për ‘pushtimin’ e tyre, opozita bën rolin e ‘kalit të Trojës’, duke e rrethuar kryeministrinë në ‘mënyrë të ligjshme’.

Por nga ana e Policisë, duke e refuzuar kërkesën e opozitës,  është kthyer kjo përgjigje:

“’Hapësirat ndërmjet kryeministrisë dhe piramidës do të jetë territor ku do të dislokohen shërbimet e policisë dhe të Gradës së Republikës” të cilët do të përmbushin detyrat ligjore para, gjatë dhe pas protestës. Dhe rruga “Ismail Qemali” do të jetë e lirë pasi do të shërbejë për përmbushjen e përgjegjësive dhe detyrave ligjore të policisë së shtetit, gardës së republikës, urgjencave mjekësore, emergjencave dhe agjencive të tjera ligjzbatuese”.

Megjithatë sekretari i përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi nuk ka mbetur i kënaqur me përgjigjen; ai thotë se ‘është e pabazuar në ligj’.

Qëllimi i opozitës është që në protestë të hyjë me ‘një fitore në xhep’; edhe sikur protesta të kthehet në shëmtim demokracie, ata do të thonë se ‘e rrethuam kryeministrinë’.

Veritas.com.al/