Hulumtimi i fundit i opinionit publik nga Qendra Beogradase për Politika të Sigurisë i publikuar të premten ka zbuluar se qytetarët serbë nuk e përjashtojnë luftën dhe intervenimin ushtarak në Kosovë. Këtë opinion e kishin edhe për Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, transmeton Gazeta Metro.

 Rezultatet e publikuara të premten treguan se qytetarët serbë si prioriteti më i rëndësishëm i politikës së jashtme e shohin ‘ruajtjen’ e Kosovës nën integritetin e Serbisë, forcimin e marrëdhënieve me vendet fqinje dhe me Rusinë.

Në pyetjen se kë e konsiderojnë armikun më të madh të Serbisë, 30 për qind e të anketuarve e identifikuan Kroacinë, 20 për qind Shqipërinë, ndërsa 13 për qind Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në të njëjtën kohë mbi tri të katërtat e të tyre konsiderojnë se në pesë vitet e ardhshme në Ballkan nuk do të ketë shpërthim të konflikteve të armatosura.

Ky hulumtim tregoi po ashtu se pak më shumë se gjysma e të anketuarve besojnë se Serbia duhet të intervenoj me ushtri në Kosovë në rast të shpërthimit të konflikteve e diçka më pak se gjysma personalisht do t’i bashkëngjiteshin bashkëqytetarëve të tyre në rast të një konflikti të tillë.

Siç njofton organizata, dy të tretat e të intervistuarve besojnë se një paqe e qëndrueshme është e mundshme mes shqiptarëve dhe serbëve, e gjysma e tyre mendojnë e tyre mendojnë se kjo është e mundur të arrihet vetëm në rast të zgjidhjes paqësore për Kosovën.

Në anën tjetër, 69 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se Serbia do të duhej të intervenonte nëse situata e njejtë do të shfaqej në Mal të Zi, e rreth 58 për qind janë për nëse do të kishte konflikt në Bosnje e Hercegovinë, dhe shumica do të bashkëngjiteshin në ato konflikte.

Hulumtimi “Shumë fytyra të politikës së jashtme serbe. Opinioni publik dhe baraspeshimi gjeopolitik” është kryer gjatë muajve shtator dhe tetor me mostrën përfaqësuese prej 1200 qytetarëve. Shumica e të anketuarve (40 për qind) e shohin Rusinë si mikun më të mirë, e 72 për qind besojnë se ndikimi rus në Serbi është pozitiv, derisa vetëm 2 për qind prej tyre mendojnë se qëndrimi i Rusisë ndaj Serbisë është armiqësor.

Pas Rusisë, gati 16 për qind e serbëve të anketuar e identifikuan Kinën si mikun më të mirë Serbisë.

Qëndrimi pozitiv ndaj Kinës ishte rritur pas pandemisë, që u dëshmua nga fakti se tre të katërtat e të anketuarve besojnë se Kina i kishte ofruar ndihmën më të madhe Serbisë në luftën ndaj pandemisë, megjithëse të dhëna zyrtare për këtë ndihmë nuk ekzistojnë.

Sipas të dhënave në dispozicion, donatori më i madh për Serbinë ishte BE, por këtë janë në dijeni vetëm 3 për qind të qytetarëve të Serbisë.

Megjithëse anëtarësimi në BE paraqitet si synim strategjik nga pushteti i Serbisë, vetëm 9 për qind e të anketuarve e konsiderojnë prioritet të politikës së jashtme të vendit. Vetëm një e pesta e të anketuarve sipas hulumtimit konsiderojnë që Serbia, kandidat për anëtarësim në BE, do të duhej të bashkërendoj politikën e jashtme me Brukselin. Vetëm 51 për qind nuk e mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BE ndërsa 46 e të anketuarve janë për.

VERITAS.COM.AL