Nëse shqiptarët do të votonin sot, mbi 60% e tyre do të merrnin pjesë në zgjedhje dhe rreth 50 për qind do të zgjidhnin Partinë Socialiste. Shifra ka dalë nga rezultatet e para të sondazheve të Institutit Italian Piepoli, që u publikua mbrëmjen e kësaj të mërkure në emisionin “Repolitix”, në Report Tv.  Siç duket edhe nga tabelat, Partia Socialiste vijon që të mbetet forca politike që ka mban shumicën në vend. Krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2021 nga ku ka fituar me 47.67%, PS s’ka lëkundje në rezultate dhe vijon të konfirmohet në vendin e parë. Me rënie drastike paraqitet Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt, të cilën thonë se do ta votojnë vetëm 11-15% e të anketuarve, ndërkohë koalicioni i Berishës dhe Metës, renditet i dyti, me 31-35% e qytetarëve që thonë se do ta votojnë.

 

50% e qytetarë të pyetur nga instituti italian Piepoli, kanë deklaruar se do të votojnë Erion Veliajn, ndërsa sipas sondazhit, Këlliçi merr deri në 38% të votave dhe PD vetëm 12%. Të pyetur nëse qeverisja “Rama 3” i ka përmbushur pritshmëritë e tyre, 50% e të anketuarve përgjigjen pozitivisht, ndërsa pjesa tjetër thonë se janë të kënaqur, por presin më shumë.

Një tjetër pyetje e sondazhit të institutit Italian Piepoli ishte edhe se te cili politikan kanë më shumë besim. I pari për nga përgjigjet e qytetarëve rezulton kryeministri Edi Rama me afro 49%, më pas vjen Sali Berisha me 27%, Alibeaj me 8% ndërsa për Ilir Metën janë përgjigjur pozitivisht vetëm 1% e tyre. Pjesa tjetër e përgjigjeve ka shkuar për liderë të tjerë.

Në sondazhet e Piepolit, shqiptarët janë të zhgënjyer nga betejat e opozitës. Për përçarjen pjesa dërrmuese e tyre fajësojnë kreun e Rithemelimit Sali Berisha, ndërsa 13% e tyre fajësojnë Edi Ramën. Po ashtu, 65% e shqiptarëve e cilësojnë të drejtë vendimin e SHBA për të shpallur “Non grata” Sali Berishën.

Të pyetur nga Piepoli, 30% e shqiptarëve janë të bindur se opozita ka nevojë për lider të ri, ndërsa 34% kanë “të preferuar” Berishën, që sipas tyre fiton ndaj Alibeajt. Nivelin e korrupsionit, shumica e qytetarëve të pyetur e shohin në rritje, por gjithsesi, drejtësinë e cilësojnë më të mirë se një vit më parë.

Po ashtu, edhe punën e policisë e cilësojnë më efikase krahasuar me vitin 2022 dhe vetëm 35% e shqiptarëve të pyetur, përgjigjen mendojnë se media është e lirë.

Sondazhet e institutit Italian Piepoli, tregojnë se gjysma e shqiptarëve janë pro aministisë fiskale, ndërtimit të Portit të Durrësit, por edhe bashkimit Shqipëri-Kosovë. Si problematikë më të madhe, qytetarët aktualisht rendisin rritjen e çmimeve, pagat e ulëta, ikej e popullsisë, korrupsionin si dhe gjendjen në shëndetësi e arsim.

Kujtojmë se për katër palë zgjedhjet rresht, Instituti prestigjioz Piepoli, në bashkëpunim me Report TV, kanë parashikuar me saktësi të jashtëzakonshme rezultat zgjedhore. Kjo u vërtetua katërcipërisht edhe në 25 prillin e vitit 2021, zgjedhjet e kaluara parlamentare. Duke nisur që në dhjetor 2020, në fakt Report TV transmetoi sondazhet e realizuara nga instituti italian i kërkimeve dhe që atëherë, kapi tendencën politike që do të konfirmohej më pas nga votat e zgjedhësve, domethënë shembjen vertikale të LSI, rritjen e PD dhe rikonfirmimin e PS për mandatin e tretë. Kjo tendencë mbeti e qëndrueshme dhe në të gjithë sondazhet që pasuan, dhe, me kalimin e javëve dhe rritjen e numrit të të intervistuarve, parashikimet u bënë gjithnjë e më të sakta dhe të detajuara.

Instituti Piepoli dhe Report TV ishin të vetmit që llogaritën në 4 sondazhet e fundit edhe numrin e mandateve për çdo qark dhe më pas në nivel kombëtar. Një parashikim që asnjë televizion tjetër në Shqipëri, nuk guxoi ta ndërmerrte. Por pikërisht falë eksperiencës së Institutit Piepoli që bashkëpunon në Shqipëri me Report TV që në zgjedhjet e vitit 2013, parashikimet u gjetën të gjitha.