Tetëmbëdhjetë vetë janë arrestuar si të përfshirë në një krim të përbashkët për trafikun e drogës. Mes tyre është arrestuar edhe shefi i stacionit të Policisë në Durrës, Julian Daci.
Spektakli i mafies së drogës kësaj here ka përfshirë gjerësi gjeografike të vendit në të dy “brinjët” e trupi të atdheut: Nga Qafë- Thana në pikën ekstreme të Lindjes- në Durrës që është pika ekstreme e Perëndimit.
Përpiluesit dhe realizuesit e planit janë të gjithë doganierë dhe policë që nga kufijtë lindorë me Maqedoninë deri në kufijt perëndimor me detin Adriatik dhe Italinë. Droga u trafikua në Itali, madje mbërriti deri në Venecia.
Alarmi që bëri Policia e Italisë së “droga vjen nga Shqipëria’ gjeti një përgjigje të ashpër dhe kundërshtuese në Policinë shqiptare. Policia e Shqipërisë, aq e “lodhur” nga akuza për “drogë shqiptare” (pasi në Itali brenda vitit janë dërguar mbi 70 tonë drogë nga Shqipëria), kësaj here doli ballëlart dhe deklaroi se “droga nuk është shqiptare” dhe se “droga nuk vjen nga Maqedonia”.
Por pala shqiptare nuk mund të mbahej jashtë përgjegjësisë për trafikimin e drogës.
Në radhë të parë pse edhe sikur droga të vinte nga Maqedonia, kishte kaluar përmes territorit të shtetit shqiptar dhe ishte dërguar, përmes Durrësit, në Itali… Këtu ishte zbatuar edhe bashkëpunimi i doganierëve dhe policëve që nga Qafë Thana deri në Portin e Durrësit.
Por doli se edhe droga që vinte nga Maqedonia, në fakt ishte prodhim shqiptar.
Këtu është aplikuar “spektakli mafioz” i punëtorëve kufitar që janë doganierët dhe policët.
Droga e prodhuar në Shqipëri është dërguar përmes tokës në territorin e Maqedonisë; dhe pastaj atje është ngarkuar në kamionë që ka kaluar kufirin për në Shqipëri dhe nga Shqipëria- drejt Italisë. Gjithë plani është hartuar në bashkëpunim, doganierë dhe policë.
Ideja se kamionët e ardhur nga Maqedonia “ nuk kontrollohen për drogë” i ka nxitur autorët që të bëjnë spektaklin e lëvizjes së drogës nga Shqipëria në Maqedoni dhe kthim për në Itali…
Policët dhe doganierët e turnit në Qafë – Thanë, sipas hetimeve të prokurorisë, ishin në dijeni.
Ata janë filmuar duke folur me shoferin pasi ka kaluar kamioni. Janë regjistruar nga kamerat e sigurisë. Kanë qëndruar për disa minuta duke biseduar.
Skaneri, në të cilin kalon çdo automjet, nuk diktoi asgjë.
Kamioni me 8 ton drogë u nis qetësisht drejt Durrësit. Edhe aty kontrollet do të ishin vetëm një formalitet.
Policë e doganierë kishin rënë dakord me trafikantët e drogës, thotë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Bashkëpunimi do t’u sillte fitime marramendëse. Kamioni me 8 ton drogë do të shitej së paku 10 milionë euro në Itali.
Katër doganierë e policë të Qafë – Thanës dhe disa doganierë e policë të Durrësit u arrestuan për këtë rast.
Pak orë pas peshimit dhe vulosjes, kamioni kalon në Durrës. Policët dhe doganierët që duhet ta kontrollonin kryejnë procedura formale.
Kamioni kalon dhe kapet në Itali.
Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se kjo ishte një formë e organizuar bashkëpunimi mes doganierëve e policëve kufitarë dhe trafikantëve të drogës.
“Sipas të dhënave të deritanishme hetimore, Prokuroria vlerëson se, bazuar në veprimet e punonjësve të policisë kufitare, të doganës dhe të agjentëve doganor, Qafë Thanë, si edhe atyre të Portit Durrës, Doganës Durrës dhe Doganës Tiranë, ekziston një formë e organizuar bashkëpunimi mes tyre për të realizuar kalimin e automjeteve kamion të mbushur me lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali. Të dyshuarit e këtij hetimi janë të përfshirë në njërin ose në të dy episodet, të cilat janë pjesë e të njëjtit procedim penal”- sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Organizatorët janë ende të lirë. Prokuroria shpreson në zbulimin e tyre nëpërmjet bashkëpunimit të 18 të arrestuarave. Policë dhe doganierë të arrestuar:
- Ymer Blloshmi, doganier, përgjegjës turni, Qafë-Thanë
- Iliras Malja, doganier pranimi/verifikimi, Qafë-Thanë
- Maliq Kadilli, agjent doganor, Qafë-Thanë
- Kastriot Topulli, agjent doganor, Qafë-Thanë
- Gëzim Dervishi, specialist në Policinë e Portit Durrës
- Mexhit Xhixha, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
- Roland Metani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
- Agron Kapllani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
- Gentian Selmani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
- Medi Demiri, kontrollor, Policia e Portit, Durrës
- Fatmir Plaku, kontrollor, Policia e Portit, Durrës
- Julian Doraci, Shef i Stacionit Policor, Porti Durrës
- Edmond Luzi, doganier eksporti, Porti Durrës
- Ylli Vogli, doganier peshore, Dogana Vorë (Tiranë)
- Vladimir Ziu, doganier regjimi, Dogana Vorë (Tiranë)
- Erald Kulla, agjent doganor, Dogana Vorë (Tiranë)
- Behar Sula, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës
- Nezir Bardhoshi, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës