Të hënën fillojnë zyrtarisht detyrën 28 hetuesit e BKH që kanë përfunduar trajnimin. Demian Smith, zëvendës ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka mbajtur sot një fjalim në aktivitetin e përfundimit të programit të trajnimit të FBI-së, të grupit të kandidatëve për hetues të BKH-së.
Sipas numrit dy të Ambasadës Amerikane, ky i sotmi, ishte një hap i rëndësishëm përpara në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BKH theksoi Smith do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë.
“Shqipëria ka ngritur tashmë që të dy institucionet që përbëjnë SPAK-un – Prokurorinë e Posaçme dhe BKH-në. Prokuroria e Posaçme ka qenë duke punuar pa ju, por tashmë ju do të bashkoni forcat kundër korrupsionit dhe krimit. Vetëm me BKH-në, me të gjithë ju, SPAK-u do të jetë një sukses i plotë. Qëndroni pjesë e luftës. Partnerët tuaj rreth e rrotull botës mund të hedhin dritë mbi aktorët e këqij, por do të jetë SPAK-u që do të bëjë punën e vështirë: hetimin dhe ndjekjen penale, duke punuar dorë për dorë për të përmbysur korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ndërsa dilni nga ky diplomim, ju do të jeni pjesë e një kapitulli të ri të institucioneve të pavarura, të besuara, efikase dhe të besueshme të gjyqësorit. I sotmi është një hap i rëndësishëm përpara në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BKH-ja do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë. Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar. Këtë e kërkon populli shqiptar”. Zëvendës Ambasadori Demian Smith duke iu drejtuar kandidatëve për hetues të BKH-së, në aktivitetin për përfundimin e programit të trajnimit të FBI-së nga ky grup”, tha Smith, shkruan ambasada e SHBA.
Smith ka mbërritur në Shqipëri një javë më parë dhe siç tregoi vetë, kjo ishte veprimtaria e tij e parë zyrtare jashtë Ambasade. Në fjalimin e tij, ndër të tjera ai u tha kandidatëve për hetues të BKH se pas daljes nga trajnimi, ata do të jenë pjesë e një kapitulli të ri të” institucioneve të pavarura, të besuara, efikase dhe të besueshme të gjyqësorit”.
Më parë, Smith ka shërbyer si Zv. Ambasador në Detyrë dhe Këshilltar Politik dhe Ekonomik në Ambasadën e SHBA në Uellington, Zelandën e Re, duke mbikëqyrur partneritetin tonë të ngushtë dhe ndihmuar në udhëheqjen e Misionit të SHBA-së përgjatë sulmeve të tmerrshme terroriste në xhaminë Christchurch dhe një shpërthimi vullkanik etj. Jashtë vendit, ai ka shërbyer në Tailandë, Serbi dhe Indi. Zv.ambasadori flet shqip, serbisht dhe spanjisht, si dhe pak frëngjisht dhe gjermanisht.