Vendi ynë gjatë dy ditëve të fundit është përfshirë nga një valë e të nxehtit ku temperaturat shkojnë deri në 37 gradë Celsius.

Meterologia Lajda Porja shprehet se e enjtja ka qenë dhe dita më e nxehtë e muajit duke bërë që në fundjavë të kemi një ulje të temperaturave.

Ndër të tjera ajo shprehet se duke filluar nga pasditja e sotme do të kemi shtim të vranësirave dhe reshje shiu kryesisht në zonat malore.

“E enjtja ka qenë edhe dita më e nxehtë e muajit ku termometri ka regjistruar vlerat deri në 37 gradë celsius, dhe vjen fundjava që pritet që të sjellë dhe një freskim të lehtë të motit. Dita e sotme ka nisur me mot të kthjellët dhe temperature të larta deri në pasdite ku do të kemi një shtim të vranësirave duke sjellë reshje në pjesën më të pjesën më të madhe të vendit kryesisht në zonat malore. Mbetet i rrezikuar veriperëndimi kryesisht Velipoja dhe Lezha ndërkohë Adriatiku dhe Joni do të jetë pa reshje dhe me temperature të larta. Edhe sot termometri do të mbetet në vlerat 35-36 gradë”, ka thënë Porja.

Fundjava pritet që të jetë nën mbizotërimin e m otit të paqëndrueshëm dhe me reshje shiu. Sipas metereologes e shtuna do të jetë më e favorshme për të gjithë ato që kanë planifikuar plazh pasi vija bregdetare është më pak e rrezikuar nga reshjet, ndërsa e diela është parashikuar kryesisht me reshje në të gjithë territorin.

“Ndërkohë të shtunën dhe të dielën do të kemi një rënie temperaturash, ku e shtuna maksimale do të jetë 33 gradë kur të dielën termometri deri në 31 gradë. Të shtunën do të ketë reshje shiu me përjashtim të vijës bregdetare më pas e gjithë zona tjetër do të ketë vranësira dhe reshje që do të jenë të fokusuara në zonat malore. Nuk do të mungojnë as rrebeshet. E diela do të nisë me vranësira që në pjesën e parë të ditës duke bërë që ato të shtohen më shumë në pjesën e dytë të ditës duke risjellë reshje në pjesën më të madhe të vendit, jugu paradite do të jetë pa reshje pjesën tjetër të ditës do të jetë e rrezikuar nga reshjet”, është shprehur ajo.

Gjithashtu Rajoni do të jetë nën masave të paqëndrueshme të motit, ku pritet që të jetë nën mbizotërimin  e vranësirave dhe kthjellimeve dhe me reshje shiu. Në Kosovë temperaturat do të jenë deri në 28 gradë ndërsa në Maqedoninë e Veriut termometri nuk do të shënojë më shumë se 30 gradë, dhe rënie temperaturash do të ketë edhe në bregdetin e Malit të Zi./abcnews.al