Franca perëndimore po përballet me një “apokalips” të të nxehtit, sipas ekspertëve, pasi temperaturat ekstreme vazhdojnë të prekin pjesën më të madhe të Europës. Temperaturat mund të arrijnë nivele rekord në 15 rajone të jugperëndimit, me zjarrfikësit që po luftojnë me zjarret dhe mijëra që janë detyruar të evakuohen, shkruan BBC.
Flakët në Spanjë, Portugali dhe Greqi kanë detyruar mijëra të tjerë të evakuohen. Temperaturat rekord priten gjithashtu në disa pjesë të Britanisë së Madhe. Zjarret në Francë në ditët e fundit kanë detyruar mbi 16,000 njerëz të evakuohen nga zona, me strehimore emergjente të ngritura për të evakuuarit.
Gironde, një rajon turistik popullor në jugperëndim, është prekur më shumë me zjarrfikësit që po luftojnë për të kontrolluar zjarret që kanë shkatërruar mbi 14,000 hektarë tokë që nga e marta e kaluar. Vala e të nxehtit ka shkaktuar paralajmërime në atë që një meteorolog e përshkroi për agjencinë e lajmeve AFP si “një apokalips nxehtësie” në disa zona të jugperëndimit. Në Spanjë dhe Portugali, janë regjistruar më shumë se 1000 të vdekur.
Por një e treta e kontinentit mbetet ende e rrezikuar, sipas zyrës kombëtare meteorologjike IPMA.