Nga A2 CNN
Në një lëvizje të papritur, grupi më i fuqishëm i militantëve të mbështetur nga Irani në Irak, Kataib Hezbollah, njoftoi të martën pezullimin e operacioneve ushtarake kundër Shteteve të Bashkuara në rajon, dy ditë pasi një sulm me dron vrau 3 ushtarë amerikanë dhe plagosi dhjetëra të tjerë.
Megjithatë, grupi shtoi se do të vazhdojë të mbrojë popullin e Gazës në mënyra të tjera.
“Njoftojmë pezullimin e operacioneve ushtarake dhe të sigurisë kundër forcave pushtuese amerikane, në mënyrë që të parandalojmë turpërimin e qeverisë irakiane”.
Ky hap prapa i atij që konsiderohet si fraksioni më i fuqishëm i armatosur i Rezistencës Islamike në Irak, një grup ombrellë i milicive të mbështetura nga Irani në vend, vjen pasi Shtetet e Bashkuara janë zotuar për hakmarrje të fortë kundër sulmit në bazën e Jordanisë.
Edhe pse nuk i kanë zbuluar planet, Biden deklaroi të martën se vendimi mbi mënyrën e kundërpërgjigjes ishte marrë.
Shtetet e Bashkuara fajësojnë Iranin, por thonë se nuk e duan një luftë me të.
“Unë bëj përgjegjës Iranin në kuptimin se ata po i sigurojnë armatime njerëzve që kryen sulmin. Nuk na duhet një luftë më e madhe në Lindjen e Mesme. Nuk po kërkoj këtë”.
Shtetet e Bashkuara kanë sugjeruar se kundërpërgjigjja e armatosur mund të vijë përmes disa valëve të ndryshme. Sipas ekspertëve mes skenarëve të mundshëm të hakmarrjes amerikane, përfshihen edhe sulmet kundër bazave dhe komandantëve të milicive pro Iranit.
Por Uashingtoni mund të shënjestrojë gjithashtu edhe komandantë të lartë të Gardës Revolucionare iraniane në Irak dhe Siri. Teherani, që ka mohuar përgjegjësinë paralajmëroi të mërkurën se do t’i përgjigjej me vendosmëri çdo sulmi kundër Iranit.