Një tërmet i fuqishëm i magnitudës 7.8 të shkallës Rihter ka lënë të vdekur mbi 600 persona mes Turqisë dhe Sirisë, pasi lëkundjet e forta sizmike shkundën gjithë rajonin në orët e para të mëngjesit.

 

Me kërkimet në vazhdim, raportimet vendore tregojnë një numër prej të paktën 284 personash, të cilët kanë humbur jetën në Turqi.

 

Teksa, në Siri, bilanci është edhe më tragjik, me 320 të vdekur dhe 639 të plagosur deri tani.

Këto shifra, të vërtetuara edhe nga ministritë përkatëse të shëndetësisë.

Tërmeti goditi në orën 04:17 me atë lokale, në një thellësi prej 17.9 kilometrash, pranë qytetit Gaziantep, por në realitet të prekur kanë qenë 10 qytete në tërësi, përfshi edhe Diyarbakir-in.

Shumë prej ndërtesave janë shembur dhe qindra ekipe kërkim-shpëtimi ndodhen në terren për të bërë të mundur evidentimin e çdo të mbijetuari, apo trupi që ka humbur jetën.

Në një deklaratë për media, ishte ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu, ai i cili bëri një bilanc paraprak, duke përsëritur se qytetet e prekura nga ana turke ishin Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.

Nga ana tjetër, në Diyarbakir, është raportuar nga korrespondetët e medias shtetërore britanike BBC, se një qendër e tërë tregtare është shembur, por nuk dihet nëse brenda saj kishte punëtorë të shumtë apo jo.

Prej anës siriane, raportimet janë më të pakta dhe priten përditësime mbi shifrat e humbjes së jetëve dhe dëmeve të shkaktuara.

Lëkundjet e forta u ndjenë gjithashtu në Liban dhe Qipro. Ndërsa, sizma më të lehta, janë ndjerë edhe në Lindjen e Mesme, me raportime deri në Rripin e Gazës, ku ka pasur tronditje për rreth 45 sekonda.

Turqia bën pjesë në një rrip sizmik, ndër më aktivët në gjithë botën dhe të tilla tërmete, nuk janë të rralla atje.

Në vitin 1999, më shumë se 17 mijë njerëz humbën jetën, pasi një tërmet i fortë goditi veri-perëndimin e vendit.