“Sot korridori blu kalon në Shqipëri. Kemi segmentin Thumanë-Kashar, që do të jetë një shembull që duhet marrë për të gjitha autostradat në vazhdim”. Kështu iu përgjigj ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në Kuvend shqetësimit të opozitës. Sipas saj kjo rrugë është e certifikuar në kategorinë A, sikurse e kërkojnë standardet e BE-së.

“I kemi mbyllur garat për segmentet e tjera ashtu si nga Thumana në Milot e Milot-Balldren dhe po ashtu segmentet e jugut; segmenti që fillon në Thumanë e mbaron në Lekaj dhe nga Lekaj deri në By Passin e Fierit, duke e përshkruar Shqipërinë nga Veriu në jug me një korridor të Kategorisë A. Këto autostrada të këtij niveli kërkojnë kushte sigurie të larta që të certifikohen në kategorinë A. Kërkojnë që të kenë nyje të dizejnuara dhe jo hyrje-dalje që komunitetet do të donin, por që sot ato nuk janë më rrugë rurale e as akse të thjeshta kombëtare”.

Minsitrja sqaroi se autostrada Thumanë-Kashar ka dy nyje, ajo e Rinasit dhe Kasharit, ndërsa nyja e tretë që do të ndërtohet së shpejti në Thumanë, do të zgjidhë përfundimisht problemin.

“Thumanë-Kashar ka dy nyje që janë pjesë e projektit, ndërkohë pjesë e studimit kanë qenë 3 nyje. Dy nyjet e ndërtuara nuk kanë asnjë ndryshim nga projekti i miratuar; hyrja e Rinasit dhe e Kasharit. Ajo nyje që do të zgjidhë përfundimisht problemin e Thumanës dhe të Krujës e Fushë Krujës, është nyja e Thumanës që ndodhet si pjesë e projektit që do të vazhdojë deri në Milot dhe është vetëm 4 km larg mbikalimit ekzistues sot në Gramëz”, citon A2 minsitren.

Balluku theksoi se banorëve të Thumanës u është dhënë zgjidhje me rrugë alternative. Sipas saj banorët do të akesojnë provizorisht një ramp të dedikuar në Gramëz, shkruan A2.

“U kemi dhënë zgjidhje banorëve të Thumanës, ka rrugë alternative. Rrugë alternative ka, por nuk duan të përdorin atë rrugë të gjatë dhe kanë të drejtë. Dhe do të ketë një rrugë më të shkurtër do ketë një nyje të dedikuar në hyrje të Thumanës që do të nisë menjëherë. Jemi në fazën e firmosjes për ndërtimin e rrugës Thumanë-Milot. Në mënyrë provizore do të aksesojnë mbikalimin e Gramzës me një ramp të dedikuar deri në ditën kur do kemi mbikalimin e plotë në zonën e Thumanës. Me banorët kemi rënë dakord që në rast se e shohin të arsyeshme ne mund të konsiderojmë që mbikalimin e Gramzës ta kthejmë në nyje permanente”. (A2 Televizion)