Shqipëria refuzon thirrjen e Moskës për largimin e diplomatëve nga Kievi, për shkak të sulmeve të paralajmëruara nga Rusia në kryeqytetin ukrainas.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha e thotë prerë që ambasada dhe trupa shqiptare diplomatike në Kiev do të vijojë të qëndrojë atje.
“Kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci; është intimidim. Ai përfaqëson një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi”, tha ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Hoxha vijon reagimin e tij se e vetmja zgjidhje që duhet të kërkohet është dhënia fund e luftës mbi 4 vjeçare Rusi-Ukrianë.
“Përgjigja për këtë luftë nuk mund të jetë më shumë luftë, më shumë krime ose sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile. E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe”, shprehet ministri Hoxha.
Këtë përgjigje ministri Hoxha ia përcolli këtë të enjte edhe Ambasadorit të Rusisë në Tiranë. Të dielën e javës që shkoi raketat ruse goditën rezidencën e ambasadës shqiptare në Kiev, duke vënë në rrezik jetën e ambasadori shqiptar, Ernal Filo dhe stafin e tij.
Komente