14 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur mbrëmjen e djeshme në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, pas përfshirjes nga flakët të spitalit COVID. Zjarri tashmë është shuar plotësisht, ndërsa flakëve iu deshën vetëm disa minuta për të ‘gllabëruar’ godinën, të ndërtuar vetëm disa muaj më parë.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka caktuar sot në orën 10:00 një mbledhje të jashtëzakonshme.
Sipas mediave vendase, rezulton se në spitalin në Tetovë, në mesin e muajit prill është raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit, që kishin të bënin kryesisht me dyshemenë dhe gabime të tjera infrastrukturore. Ka pasur një deklaratë nga drejtori ekonomik i spitalit të Kosovës se qendra ndihmëse për pacientët me COVID-19 nuk ka kushte të mjaftueshme për t’u kujdesur për pacientët. Kompania që kishte marrë përsipër ndërtimin e spitalit duhej të rregullonte këto gabime, por nuk dihet nëse një gjë e tillë është bërë.
Deri tani nuk dihen shkaqet e shpërthimit të zjarrit, ndërsa pesë prokurorë janë angazhuar dhe janë në terren ku po kryejnë ekspertizë për të vërtetuar shkaqet që sollën deri te djegia e spitalit COVID në Tetovë.
Zjarri në Qendrën COVID shpërtheu rreth orës 21:00 dhe për një kohë të shkurtër është djegur e tëra, ndërsa sipas autoriteteve ekziston frika që numri i viktimave mund të rritet. Viktimat janë 14 pacientë, të cilët nuk janë identifikuar ende, ndërsa pritet t’i kryhet analiza e ADN. Paraprakisht mendohet se brenda spitalit, në momentin kur ka rënë zjarri, ndodheshin 24 pacientë të shtruar, 8 persona nga stafi mjekësor dhe disa familjarë të të sëmurëve. Fatmirësisht nuk ka patur viktima mes stafit mjekësor.
Pas ngjarjes së rëndë reagoi edhe politika shqiptare, duke shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave dhe duke u solidarizuar me dhimbjen e tyre.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave që humbën jetën tragjikisht në “shpërthimin” e zjarrit në spitalin COVID në Tetovë.
Një ngushëllim ka shprehur edhe për të gjithë komunitetin shqiptar duke thënë se dhimbja e tyre është edhe e jona dhe anasjelltas.
“Dhimbja juaj është dhimbja jonë, tragjedia juaj është tragjedia jonë.”, shkruan Xhaçka.