Në Tiranë ka mbërritur prej pak ditësh një ekip i specializuar i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së duke iu atashuar ekipeve shqiptare të emergjencës për vlerësimin e dëmeve në terren dhe ofrimin e asistencës së tyre.

Këto janë ndihmat e para të ardhura nga vendet e Bashkimit Evropian për familjet e prekura nga tërmeti i 21 Shtatorit.  Të parat vende që kontribuuan ishin Kroacia, Hungaria, ndërsa këtë të diel një avion ushtarak grek solli kontributin e qeverisë së Greqisë për Shqipërinë.

“Ne jemi këtu si skuadër e mbrojtjes civile për të ndihmuar Shqipërinë. Ne kemi marrë deri më tani ndihmat e dhëna nga 3 shtete dhe presim edhe nga shtetet e tjera”, thotë Peter Glerum, drejtues i ekipit të BE për Emergjencat Civile.

Sekretar i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile të Greqisë,  Nikolaos Hardalias foli për një mesazh solidariteti dhe mbështetje për popullin shqiptar. Ndërsa kreu përgjithshëm i Rezervave të Shtetit, falenderoi në emër të Ministrisë së Mbrojtjes përfaqësuesit e lartë të Mbrojtjes Civile Europiane  për solidaritetin.

“Shpresojmë që ne këtë ndihmë të dhënë të mos e kthejmë vetëm në raste të tilla, por të jemi krah njëri-tjetrit për të ndihmuar në kohë të vështira”.