Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi sot pasdite se Forcat e Armatosura do të vendosen në aeroportin Kombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Efektivë të Policisë Ushtarake dhe të Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura do të jenë në perimetrin e sigurisë.

Ky vendim vjen një ditë pas grabitjes së 10 milionë eurove brenda aeroportit, nga një avion gati në nisje. Nga përplasja me armë e grabitësve dhe policisë humbi jetën një person, i shpallur në kërkim për grabitje të tjera në të kaluarën,  Admir Murataj.

Sipas ministres Xhaçka, mekanizmat e sigurisë në aeroport, kanë dështuar tërësisht.

“Ngjarja që ndodhi dje në aeroportin e Rinasit ishte sigurisht një ngjarje e rëndë. I bashkohem shqetësimit të qytetarëve dhe kolegëve, që diçka e tillë, nuk mund të ndodhë në një zonë të rëndësisë së veçantë. Ajo që tashmë dihet nga analiza dhe hetimi është se, mekanizmat e sigurisë, që janë nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncensionare të aeroportit, kanë dështuar tërësisht.

Kompania koncesionare ka dështuar në detyrimin që të përmbushë përgjegjësitë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil”, deklaroi Xhaçka.

Ajo theksoi se do ketë përgjegjësi penale. “Kjo është një shkelje e papërgjegjshme dhe shume e rende e legjislacionit shqiptar, për të cilën, shpresoj dhe besoj që përgjegjësitë penale të jenë konkrete. Situata kërkon një ndërhyrje urgjente, sepse ne nuk mund të lejojmë të cenohet as siguria e qytetarëve dhe as imazhi i vendit.

Për këtë arsye, në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit ‘Nënë Tereza’ të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes.

Veritas.com.al/