Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë pranë Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, e ka nisur vizitën e tij në Tiranë në takim me anëtarë nga institucionet e vettingut, ku ka theksuar sërish edhe mbështetjen e unionit sa i përket Reformës në Drejtësi.

“E nisa vizitën time me një shkëmbim të mirë me institucionet e vettingut sot në Tiranë. Rikonfirmova mbështetjen e plotë dhe të fortë të BE-së. Integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve është çelësi për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sulmi ndaj organeve të vettingut dhe anëtarëve apo familjeve të tyre duhet të ndalet!”.

Kështu shkruan komisioneri në profilin e tij në Twitter.

Vettingu është edhe një ndër proceset, për të cilat është lobuar më së shumti nga Bashkimi Evropian në Shqipëri.

Një pjesë e mirë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk e kanë kaluar sitën e procesit, duke u shkarkuar kështu nga funksioni publik që ushtronin.

Pas kësaj vizite, funksionari i lartë i BE-së iu drejtua edhe Qytetit Studenti, ku promovoi nismën më të fundit të bashkësisë evropiane, për të rikonstruktuar godinat e konvikteve.

Teksa, rreth orës 14:30, pritet edhe një konferencë e përbashkët mes tij dhe kryeministrit të vendit, Edi Rama.