Në konferencën për shtyp nga Beogradi, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç ishin në të njëjtën linjë duke thënë se po afrohet dimër i vështirë. Teksa i referohen krizës energjetike, thonë se vendet e Ballkanit të Hapur do të jenë pranë njëri-tjetrit që qytetarët ta vujanë sa më pak. Të dy i bëjnë thirrje Bashkimit Europian që të mos i braktisë si në kohën e pandemisë ndaj Covid-19.
Kryeministri Edi Rama theksoi se do i drejtohen me shkrim Brukselit për t’i dhënë mbështetje financiare në mënyrë që të përballojnë krizën energjetike. Ndër të tjera shtoi se do kërkojnë që kërkesës së tyre t’i bashkohen edhe shtetet që nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur.
Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer një koment për opozitën serbe pasi thanë se presidenti Aleksandër Vuçiç u turbullua sepse provoi shumë gota verë në Panairin e Verës.
“Gjëja që opozita këtu e ka konsideruar presidentin të turbulluar nga gjithë ato gota që provoi, mendoj që është shumë e turbullt të akuzosh të turbullt dikë që rrëkëllen disa gota dhe ti je esëll komplet. Jemi të qartë që kjo është gara e qartë mes të kaluarës dhe të ardhmes”, tha Rama.