Shumëkush e quajti ardhjen e presidentit turk në Shqipëri, Erdogan në ditën e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut si një provokim, por për kryeministrin Edi Rama ishte thjesht një rastësi.
“Dje, duke komentuar vizitën e presidentit të Republikës së Turqisë, disa miq këtu nuk u kursyen në sharje e në mallkime “në emër të Skënderbeut”! Rastësia e desh që vizita e djeshme të përkonte me ditën e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, çka e mësuan me këtë rast plot prej atyre të cilët rendin t’i fryjnë zjarrit të patriotizmit digjital apo opozicional, që ndizet sa herë unë takohem me “pushtuesin” nga Ankaraja.
Po çfarë lidhje ka me rrethimet e Krujës dhe me qëndresën e Gjergj Kastriotit, Republika e Turqisë, e cila fill pas formimit të saj ka firmosur me Shqipërinë, 100 vjet më parë, në vitin e largët 1923, “Marrëveshjen e Miqësisë së Përjetshme”?
Ku lidhet Turqia moderne, anëtare e NATO-s, mike e sprovuar e Shqipërisë e shqiptarëve, në më shumë se një rast dhe si ngatërrohen me shigjetat e rrethimtarëve të Krujës, vaksinat e ardhura në Shqipëri nga ky shtet mik falë kujdesit të veçantë mikut tim, Presidentit Erdogan, në kohën kur i tërë Ballkani mbeti si peshku pa ujë, në rrethimin e Armikut të Padukshëm?
Si mund të lidhen punëtorët e palodhur turq dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, të cilët vitin e fundit ndërtuan një lagje të re me 522 shtëpi për familjet e prekura nga tërmeti apo ata që ndërtuan një spital të ri ultramodern në Fier, me luftën e pesë e kusur shekujve më parë?
Nuk e di a e ka ndonjë popull tjetër atë shprehjen, “për inat të s’ime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë”. Por dihet me siguri, se përgjatë historisë së tij, ky popull ka parë shumë dyndje shqipesh të inatosura në derën e mullixhiut. Inati ndaj njëri-tjetrit na ka penguar rëndom, ne shqiptarëve, të shohim të mirën e shtëpisë sonë të përbashkët. Kjo e rreshtimit të djeshëm të shumëkujt (që inatin në fakt e ka me qeverinë e me mua), në ushtrinë imagjinare të mbrojtësve të kështjellës sonë nga pushtuesit turq, ishte një ilustrim i radhës për rrugën pa krye ku të shpie “inati ndaj vjehrrës”.
Natyrisht këto spazma urrejtjeje sportive, të cilat burojnë nga tifozllëku i sëmurë partiak, mllefi i pangushëllueshëm “intelektual” dhe fatkeqësisht, ndonjëherë edhe nga budallallëku islamofobik, nuk e ndryshojnë as përmbajtjen e miqësisë tradicionale me popullin turk, as kursin e partneritetit strategjik me Republikën e Turqisë.
Dikush ndër të inatosurit e djeshëm denonconte hipokrizinë time. Sipas tij isha vetëdemaskuar nga mikpritja që i rezervova Presidentit Erdogan në Tiranë, pas mikpritjes që më rezervoi Papa Françesku në Romë. Në fakt jo, ky shembull tregon krejt të kundërtën e hipokrizisë; vërtetësinë dhe thellësinë e marrëdhënieve të posaçme personale për shkak të detyrës.
Këto e të tjera marrëdhënie të këtij niveli, reflektojnë bindjen time se Shqipëria nuk duhet të jetë “më katolike se Papa” në politikën e saj të jashtme, po mund të jetë “trimi i mirë me shokë shumë”. Po shokë ama, natyrisht”, shkruan Rama.