Si asnjëherë më parë në Shqipëri, një gjykatë u rrethua nga qytetarë, i madh e i vogël, me revoltë ndaj vrasësit të një fëmije.

Me shpirtin e vrarë, 1 ditë pasi i dhanë lamtumirën e fundit të voglit të tyre 8-vjeçar, nëna, babai, vëllai i Mateo Vasiut dhe të afërm të djalit, mësynë në Gjykatën e Fierit. Thyen derën e aluminit, u futën brenda ambienteve të Gjykatës me thirrjen “Ku është Klodiani”.

Betejën nuk e kishin me policinë. Revolta e tyre ishte për vrasësin Klodian Çalamani, 38-vjeçarin që këtë të enjte në orën 10:30 do shfaqej në gjykatë për masën e sigurisë. Familjarët i trembeshin se Klodiani do të futej në Gjykatë fshehurazi, prandaj morën masat dhe u organizuan të ndarë në grupe. Ato kishin “blinduar të gjitha dyert e mundshme nga mund të hynte autorit, e ndërsa kontrollonin një e nga një të gjithë furgonët e policisë që sillnin të dënuar. Kjo situatë tensionoi edhe një herë gjendjen në ambientet e gjykatës, aq sa efektivët e policisë për të mos e agravuar me tej ngjarjen, morën vëllanë e Mateos dhe e çuan te furgoni i Policisë për t’i vërtetuar që aty nuk ishte Klodiani.

Pikërisht këto tensione, deri diku të justifikuara të familjarëve që humbën fëmijën e vogël, trupa gjykuese dha arrest me burg pa praninë e Çalamanit, që gjendet në qelitë e paraburgimit në komisariat.

Burgu për Çalamanin, nuk është qetësi për prindërit.

“Kërkoj varjen e atij maskarai, jam e ëma e atij djali, më iku fëmija, iu pre ëndrra në gjysmë, kërkoj varjen në mes të Fierit, ma sillni këtu, duam drejtësi.  Ma gënjeu”, tha nëna e Mateos.

Në një zë janë të gjithë qytetarët jashtë gjykatës.

“S’kam lidhje me personin, por më vjen inat se kam 3 fëmijë vet, ku jetojmë ne këtu zotëri, ca po bëhet këtu”, tha një qytetar.

“Ca bën ky shtet, s’kemi siguri për jetën. Unë kam nipër. Kemi kastile”, shprehet një tjetër.

Me garancinë se vrasësi nuk do shfaqej më në gjykatë, të paktën jo sot, prindërit e Mateos nisën të mbledhin firma në një peticion për rikthimin e dënimit me vdekje, që u pasua me një marshim drejt qendrës së qytetit.

Thirrjen e kanë për të gjithë qytetarët anembanë vendit.