Frrok Çupi

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, sapo është ndarë nga Putini në Kremlin dhe ka mbërritur në Pekin. Nuk duket se Xi e paskësh menduar veten si Jul Cezar; prej të cilit ka mbetur i përjetshëm slogani latin: ‘Veni, vidi, vici!’. (‘Erdha, pashë, pushtova!’). Jo. Duket se, përkundrazi, vetë presidenti rus Putin, kishte ëndërruar që të shfaqej si një ‘pushtues alias Cezar’ në takimin me Xi Jinping.

Takimi i pritur në mënyrë rrëqethëse në mbarë Globin, më në fund mbaroi. Në një sekondë Putinit iu duk se fitoi, në sekondën tjetër u ndje se ndodhej larg, shumë larg nga Jul Cezari.

Ndritjja e psikozës së ‘pushtimit’, ose ‘vici’: 

Kjo ndodhi në momentin kur të dy presidentët, të vetëm, ballë përballë në Kremilinin e Leninit dhe të Stalinit, qëndruan për pak pa folur duke u parë thellë në sy. Në atë moment foli zoti Xi: ‘Miku im Putin, ndjej se ndryshimi po vjen. Po vjen ndryshimi që nuk ka ndodhur në 100 vjet. Tani erdhi dita kur ne të dy së bashku ta drejtojmë këtë ndyfshim të botës’, tha Xi.

Mikpritësi Vladimir e miratoi me ngazëllim momentin e ‘pushtimit’ cezarian:

-Jam dakord!, miku im- tha Putin.

Ndryshimi për të cilin foli miku i ardhur nga Kina është plani i tyre për ‘një rend të ri botëror’. Sipas tyre, ‘demokracia perëndimore është në dekadencë’. Të dy burrat e shohin luftën në Ukrainë si pjesë të projektit për ndryshimin e rendit botëror. Partia komuniste kineze e sheh veten si një fuqi shëlbuese pas një të ashtuquajturi ‘shekull poshtërimi’, siç edhe u tha.

Të gjithë momentet e tjerë të takimit Putin- Ji, ishin momente ‘in gloom’, pa asnjë shpresë për fjalën latine ‘Vici’.

Momenti i përcjelljes së mikut Xi:

Presidenti kinez, trupmadh dhe i zymtë, doli nga zyra në Kremlin dhe iu drejtua makinës së tij. Ky ishte ai moment që dëshmoi gjithçka. Putin qëndroi në shkallën e fundit të Pallatit, Xi hyri në makinë dhe iku. Putin u shfaq krejt i ngrirë, i vetmuar, i ftohtë, gati si hije. Tjetri u tret në horizont.

Ato pak momente të pashkruara në shkallët e Kremlinit ndoshta na tregojnë më shumë për marrëdhëniet e Xi dhe Putinit, sesa vetë komunikatat zyrtare.

Në raportin mes dy udhëheqësve ku ‘pritet shpresa e rendit të ri botëror’, Putin u shfaq si ‘lutës para Xi’. Do të lutej për armatim të ri, do të lutej për ndihmë ekonomikë, do të lutej që Kina t’i qëndronte pranë diplomatikisht Rusisë. Të dy miqtë, secili ndryshe nga tjetri: Xi, në epërsi, ndërsa Putin inferior. Edhe në bisedë, Putin ishte nervoz dhe i papërqendruar.

A i dha shpresë Putinit aleati  Xi?

Që nga momenti i parë i takimit e deri në gjysmë të tij, gjërat ndryshuan papritur. Në fillim u fol për një ‘Vici të përbashkët’ kundër Perëndimit. Ndërsa më në fund, Xi e siguroi mikun e tij, jo se ‘gjërat do të përmbysen për një rend të ri’, por se ‘gjërat vetëm mund të përmirësohen’.

Çfarë i jepte frymë e çfarë e dëshpëronte presidentin Xi?

Ndërsa Putin kërkonte me sy për një fitore të tij, të njëjtën gjë bënte Xi përballë presidentit rus. Xi u ndodh para një shkëndije që lajmëron ‘fitore- Vici’, ndërsa e tëra dëshmon të kundërtën. ‘Fitore!’,  për Kinën do të thotë ‘brutalitet rus në Ukrainë’. Kjo i vjen në favor dhe për shtat Kinës për një qëllim më të largët: Dobësimin e Perëndimit. Kina tani po përjeton inferioritet historik, që siç e ka formuluar ‘poshtërim nga Perëndimi dhe nga grabitqarët e huaj’.

Mirëpo, sapo  Xi hodhi sytë rrotull, i doli përpara presidenti i Rusisë, Rusi e cila është grabitqari më i madh i Kinës . Rusia i ka marrë Kinës 350 000 milje katrorë territor gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë… Kjo ka lënë gjurmë historike.

… Kur po ndaheshin te bordurat e rrugës së Kremlinit, Xi e pa Putinin si të rrethuar dhe e la vetëm. Në  fund as vetë Putin nuk kishte më ndonjë lidhje me sloganin latin “Veni, vini, vici!’.